Arbëri

Surroi i sheh dy probleme në negociatat për Planin evropian

Publicisti Veton Surroi ka thënë se janë dy probleme me të cilat po përballet procesi negociator në çështjen e planit të zbatimit të propozimit evropian, për të cilën kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë duke negociuar të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, plani i zbatimit pas dakordimit për përmbajtjen e propozimit, po përcillet me problemin e vënies së nënshkrimeve apo jo dhe dykuptimësisë së përmbajtjes së dokumentit.

Të shtunën, nga mëngjesi Kurti dhe Vuçiq janë duke negociuar për këtë plan të zbatimit. Diskutimet kanë nisur qe më shumë se 10 orë dhe ende s’dihet kur do të përfundojnë. Surroi ka thënë se kalimi i një periudhe të gjatë diskutimesh tregon se “procesi është i rëndë”.

“Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruajë (më 27 shkurt), Vuçiqi ka thënë se jo. Këtu kemi dallimin e parë, pra gatishmërinë e palëve për t’i dhënë formalitet një marrëveshjeje. Problemi i dytë është më i madh, aneksi i implementimit kërkon kujdes të veçantë sepse palët në të kaluarën janë marrë vesh, por te zbatimi ka sjellë probleme tek interpretimi i përmbajtjes, apo ambiguiteti konstruktiv, dykuptimësitë, nuk ndihmojnë në marrëveshje të tillë”, ka thënë ai në “Konfrontin” special të KTV-së duke shtuar se procesi zgjatet deri në pajtimin e të gjitha palëve për saktësimin se si duhet të zbatohet përmbajtja.

Ai e ka kualifikuar të ndryshëm procesin aktual negociator në krahasim me Rambujenë, që qe nënshkruar saktësisht 24 vjet më parë.

“Po flasim për proces negociator në të cilin të gjitha palët duhet të dakordohen për formën e dakordimit, a do të jetë nënshkrim, deklarim gojor a ratifikim, janë hollësi të të drejtës ndërkombëtare, me shumë rëndësi, por me rëndësi që palët mes vete të dakordohen. Kemi të bëjmë jo aq me faktin se njëra palë dëshiron të nënshkruajë e tjetra jo, edhe pse kjo ka rëndësi, por është me atë se çka do të nënshkruajnë palët. Edhe pse e kemi të qartë se çka shkruan, ajo që s’është e qartë është çështja e aneksit zbatues sepse aty bëhen shpjegimet që jo domosdoshmërisht reflektojnë atë që është thënë në plan. Duhet të jetë problem për të gjitha palët dhe të gjitha palët duhet të ndihen komode me formulimet që të bëhet zbatimi në formën e duhur”, ka deklaruar më tej ai.

Sipas Surroit, “nëse sonte s’ka dakordim, do të ketë një ditë tjetër”.

“Procesi do të vazhdojë. S’janë negociata ‘merre ose lëre’. Janë dakorduar për parimet, Kosova bile ka manifestuar gatishmërinë që ta nënshkruajë. Me këtë gatishmëri, Kosova është shumë proaktive në procesin negociator dhe ka treguar gatishmëri t’i hyjë procesit të aneksit. Nëse jo sonte, arrihet ndonjë ditë tjetër”, ka thënë Surroi.

Ai ka deklaruar se pret që trysnia ndërkombëtare mbi palët të rritet në vazhdim.