Kosova dhe Serbia edhe në takimin e Ohrit janë pajtuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje të arritur më 27 shkurt, por atë ka refuzuar ta nënshkruajë Serbia. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes. Megjithatë, Kurti ka thënë se ka pasur pajtim publik mes palëve. Ai e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.
Maratonike, intensive, me bisedime të shkurtra e pauza të gjata e gjithçka e dalë nga agjenda e paraparë, ishte dita e marrëveshjes së panënshkruar në Ohër. Pak kilometra nga qendra, buzë Liqenit të Ohrit, në dy objekte të ndara nga njëra tjetra për më shumë se 14 orë do të zhvilloheshin disa takime e konferenca.
Me synimin e arritjes së një dakordimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për mënyrën e zbatimit të propozimit evropian, krerët e të dyja shteteve për disa orë do të diskutonin ndërmjet vete e jo vetëm.
E shtuna nisi me takime të shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Më pas vazhdoi me ato ndërmjet mysafirëve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, me nikoqirët.
Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovacevski e para atij me presidentin Stevo Pendarkovski, i pari i Qeverisë së Kosovës, u shpreh optimist për ditë n që e priste përpara.
“Nuk kam ardhur për bisedime por për bisedime për marrë veshje”, ka thënë kryeministri Kurti.
Përfaqësuesve të mediave, të cilët që nga fillimi përcollën zhvillimet, në vizitë u erdhi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Por, ai nuk i vizitoi të gjithë dhe për bisedë u ndal vetëm me disa prej tyre, kryesisht te mediat maqedonase.
E në sallën e mediave, pas takimit me krerë të Kosovës dhe Serbisë, të zotit të shtëpisë nuk i shkoi mbarë adresimi.
Problemet me zërimin bënë që kryeministri maqedonas për disa minuta të presë në foltore, të largohet nga ajo për disa të tjerë për t`u kthyer sërish që të përçojë mesazhin e tij.
Takimet bilaterale filluan me vonesë, e diskutimet që u zhvilluan nuk u zbardhën nga askush.
Në pritje të deklarimeve, zyrtarë maqedonas njoftuan se do të jetë zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ai që do të mbajë një konferencë .
Informacioni u përhap shpejt, e në pritje të tij ishin të gjithë. Por, konferenca e paralajmëruar doli të jetë vetëm përgatitje që zyrtari evropian do ta bënte para konferencës së Borrellit.
Ndonëse takimet bilaterale përfunduan, i shumëprituri ndërmjet Kurtit e Vuciqit, assesi të fillonte.
Edhe kur filloi, rreth orës 15 e 30 nuk zgjati shumë. Një orë më vonë palët shkuan në një pauzë, për nga koha dyfish më të gjatë sesa biseduan
Takimi rinisi disa minuta pas orës 18:00 për të shkuar sërish në pauzë më shumë se njëorëshe e kthyer në takim për ta përfunduar atë pas rreth 15 minutash.
Marrëveshja u arrit por pritja s'përfundoi.
Para Borrellit e Kurtit, mediave iu drejtua presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq.
“Diçka jemi dakorduar. Këto pika për te cilat jemi dakorduar do të bëhen pjese e kornizës e bisedimeve. Këshilli i Evropës do të vlerësoj zbatimin e planit. ky plan do të zgjerohet, edhe pse mua nuk do të më pengonte të mbetej kështu si është. Kemi theksuar se të dy palët kemi vija të kuqe, s’ka qenë ditë vendimtare por janë bërë disa hapa të mëdhenj në këtë drejtim”, ka thënë Vuçiqi.
I kënaqur me arritjen e dakordimit u shpreh përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
"Kemi diskutuar për 12 orë dhe jam i lumtur të njoftojë se pas 12 orëve ne kemi një marrëveshje si ta zbatojmë. Kështu që mund të njoftojë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar në aneksin e implementimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënies mes tyre", ka thënë Borrelli.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka cilësuar “të vështirë, por të nevojshme” marrëveshjen.
“SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet që ta mbështesë politikisht e ekonomikisht që të arrihet paqja në rajon. Marrëveshja i hap rrugë integrimit euroatlantik për të dyja shtetet dhe rajonit epokë të re paqeje”, ka thënë Escobari.
Nënshkrimin e marrë veshjes nuk e pranoi ta bëjë presidenti i Serbisë, e për këtë veprime nga BE-ja tha se pret kryeministri Kurti.
“...për nënshkrim duhet guxim...”, ka thënë Kurti.
Mbikëqyrja e zbatimit të propozimit evropian pasi atë refuzoj ta nënshkruaj Serbia sikurse edhe gjetja e mekanizmave për ta bërë atë të obligueshme i ka mbetur Bashkimit Evropian.