Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për rastet e dhunës seksuale në pesë vjetët e fundit.
Në kërkesën parashtruar Kryesisë së Kuvendit, e mbështetur nga 40 deputetë, LVV-ja ka thënë se 15 vjet pas pavarësisë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës numërohen qindra raste të zvarritjes se lëndëve për viktimat e dhunës seksuale.
Ka shtuar se ende mbetet e paprecedentë natyra e vendimeve dhe lirimi i abuzuesve në disa raste si dhe mostrajtimi i përpiktë i disa rasteve të tjera që kanë dërguar edhe në pasoja fatale.
“Në emër të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve po pamundësohet gjetja e përgjegjësve të lëshimeve në parandalimin e rasteve fatale, përdhunimeve apo dhunës në përgjithësi. Ndaj është detyrë e Kuvendit të Republikës të marrë rolin që i takon me ligj nëpërmjet Komisionit Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar të gjitha hallkat shtetërore që u takojnë pushteteve të ndryshme e të ndara se ku dhe çka ka ndodhur me rastet e trajtimit të dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave”, thuhet në kërkesë.
Komisionin do ta drejtojë opozita.
GP i Vetëvendosjes ka thënë se ka tepër shumë nevojë që në jetën publike e institucionale të trajtohet me përpikëri faji e përgjegjësia apo dhe dështimi i çdo hallke institucionale në rastet e përdhunimeve, vrasjeve, rrahjeve, fyerje, përndjekjeve dhe keqtrajtimeve sistematike ndaj grave dhe vajzave.
“Mbrojtja e jetës së grave dhe vajzave, dinjiteti i tyre, në përgjithësi barazia gjinore nuk mund të qendrojnë pezull deri sa të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera. Ka shumë përgjegjë në institucionet tona që këto vitet kanë pasur përgjegjësi sigurinë e grave. Ajo siguri kur i është dashur më së shumti nuk u është dhënë. Shteti ekziston për ta mbrojtur qytetarin nga cenimi i jetës dhe dinjitetit. Pa këtë mbrojtje nuk mund të funksionojë shoqëria. Hetim për çdo lëshim”, thuhet në kërkesën e VV-së.