Miratohet projektligji që rregullon çmimet e barnave
Foto: Driton Paçarada / KOHA
Është miratuar në Qeverinë e Kosovës projektligji për çmimet e produkteve medicinale, që parasheh rregullimin e çmimeve të ilaçeve në vend, e që sipas kryeministrit Albin Kurti, do të kursejë mjete të shumta të qytetarëve. Ai dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë thënë se nëpërmjet këtij ligji, Kosova do të ketë ndër çmimet më të lira të barnave.
Ministri Vitia ka thënë se deri tash këtë ligj s’e kanë pasur vetëm dy shtete në Evropë, Kosova dhe Bjellorusia.
“Pas dy dekadash, si përfundim, Kosova për herë të parë po hiqet nga kjo listë. Kjo nismë është politikë e re dhe e shumëpritur në mbrojtjen e qytetarëve”, ka thënë Vitia që ka shtuar se ligji përfshin lartësinë e marzhës për shitësit, metodologjinë e përcaktimit të çmimeve, kalkulimin e tyre, komisionin për përcaktim çmimesh, publikimin zyrtar të tyre dhe mbikëqyrjen, ankesën dhe sanksionet.
Ai ka thënë se me këtë ligj, një bar do të ketë çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret në vend.
Në fillim të marsit, KOHA pati raportuar për kaosin që shkaktohet nga mungesa e këtij ligji.
Ndërkaq në konferencën për media, ministri Vitia ka thënë se nëpërmjet përcaktimit të çmimit të produkteve medicinale do të mundësohet që institucionet të sigurojnë barnat me kosto të përballueshme. Sipas tij, do të evitohen abuzimet.
Ai ka thënë se për shumën e njëjtë parash do të sigurohen më shumë barna e produkte medicinale.
Vitia ka përsëritur qëndrimin se vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit për blerje të insulinave pa Autorizim-Marketingu janë të gabuara dhe se OSHP-ja është dashur ta adresojë.
Ai ka thënë po ashtu se Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga kryeministri Kurti, është ende funksional.
“Komisioni ekzekutiv akoma është funksional. Komisioni gjatë periudhës gjashtëmujore ka pasur shumë takime. Të gjitha rekomandimet që kem marrë nga komisioni një pjesë i kemi adresuar natyrisht me buxhetin mirëpo një pjesë të objektivave tashmë janë duke u adresuar. Pasi të përfundojë ky procesi i absorbomit të këtyre objektivave atëherë do të kemi mundësi që ky komision të pushojë së ekzistuari pas një kohe”, ka thënë ai.