Arbëri

KOSTT-i e KEK-u me sqarim për zhurmën e së dielës

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë njoftuar se për shkak të lidhjes së shkurtër të paraqitur në stabilimentet e tensionit të lartë të KOSTT-it, të dielën në mesnatë, blloku A4 në Termocentralin Kosova A, është shkyçur nga rrjeti.

Siç bëhet e ditur në njoftim, pas kontrollit të ekipeve të mirëmbajtjes së KOSTT-it dhe KEK-ut, është vërejtur që si rezultat i mbingarkesës së lartë ka shpërthyer izolatori i mesëm i mbajtjes i T-35 në stabilimentet e KOSTT-it.

“Lidhur me këtë, ekipet e KOSTT-it kanë dalë në vend të ngjarjes dhe është eliminuar defekti, pra izolatori i dëmtuar është zëvendësuar sot në ora 10:15. Ndërsa në KEK aktualisht është filluar me sanimin e defekteve në njësinë A4 dhe kjo njësi pritet të kthehet në operim me 01 Mars, 2023 rreth orës 06:00 të mëngjesit”, thuhet më tej në njoftim.

Qytetarë të shumtë kanë reaguar të dielën në rrjetet sociale, duke thënë se është dëgjuar një zhurmë jo të zakonshme në kryeqytet.