Banorët shqiptarë të veriut të vendit kanë protestuar në Gushavc të Mitrovicës veriore, për ta kundërshtuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Organizatori i saj, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ky Asociacion do të jetë tumor i shtetit të Kosovës. Sipas tij, kryeministri Kurti dhe çdo udhëheqës i vendit do ta kenë të kotë instalimin e siç tha ai “Republikës Serpska në Kosovë”.
Me këngë patriotike, flamuj kombëtar, shtetëror e të Amerikës, është protestuar të dielën në Gushavc të Mitrovicës veriore, kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kjo protestë ishte thirrur nga ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në fjalimin e tij para protestuesve deklaroi se çdo Asociacion i cili bëhet në Kosovë do të jetë tumor për vendin. Sipas tij, qëllimi i Serbisë është ndarja e Kosovës.
“10 komunat që i kemi themeluar, kemi dashur që të çojmë një mesazh të mirë te qytetarët serbë që t’i kenë përfaqësuesit e tyre, që t’u shërbejnë atyre, por ata nuk u ngopën me këtë. Nuk u ngopën për arsye se dëshirojnë diçka tjetër dhe diçka tjetër është që të ndajnë Kosovën ose të bojkotojnë Kosovën në tërësi, të paralizojnë shtetin dhe sovranitetin e saj”, ka thënë Bahtiri.
Ish-kryetari Mitrovicës pati një porosi edhe për kryeministrin Kurti.
“Apeli i të gjithëve neve është që të mos lëshojmë pe, Albin mos lësho pe se kot do ta kesh dhe kot do ta ketë secili udhëheqës i shtetit të Republikës së Kosovës për të copëtuar Kosovën dhe për ta instaluar Republikën Sërpska në Kosovë”, ka thënë Bahtiri.
E përfaqësuesi i fshatit, Nazmi Beka, theksoi se do të jetë kundër çdo asociacioni dhe çdo përfaqësuesi politik që synon formimin e tij.
“Gushavci, Vinarci, Suhodolli, Lagjja e Boshnjakëve, Vidomiriqi gjithmonë sa të ketë jetë në këtë tokë do të jenë vetëm fshatra shqiptarë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë asnjë lloj plani tjetër”, ka thënë Nazmi Beka, përfaqësues i fshatit Gushavc.
“Për çka nuk e bëjnë Asociacionin në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc. Vjovodinën e ka shkel krejt tash ka ardhë këtu me na marrë këtë prej Ibri edhe këndej. Çka mendon kjo Evropë? Serbisë i konvenon kjo me njerëz të pandershëm të Kosovës, por ne do të qëndrojmë gjithë dhe do të mbrojmë vendin tonë”, ka thënë Bahtir Istrefi nga Sindikata e Kombinatit “Trepça”.
Për të mbajtur nën kontroll këtë protestë, përveç Policisë së Kosovës, janë parë edhe karabinierët.
Kohëve të fundit, protesta kundër themelimit të Asociacionit ka pasur edhe në Prishtinë.