Arbëri

Finalizohen vetëm 4 nga 160 çerdhet e premtuara

Vetëm katër çerdhe janë funksionalizuar që nga viti 2021, e disa objekte që janë nisur kanë ngecur punimet dhe janë shndërruar në vend strehimi për qentë endacakë. Institucionet qendrore, të cilat premtuan se për katër vjet do të hapin 160 çerdhe të reja, për zvarritjen e punimeve janë arsyetuar me ndryshimin e çmimeve në treg

Gjithsej katër objekte të institucioneve parashkollore janë funksionalizuar në dy vjetët e fundit. Njëra në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut, një tjetër në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit, një në fshatin Qifllak të Vitisë dhe një në Prizren.

Gjatë përurimit të çerdhes së parë në qytetin e Prizrenit, në qershor të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në katër vjetët e ardhshëm do të hapen 160 çerdhe të reja.

“Në programin tonë qeveritar ne u kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, duke ndarë 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2-vjeçare dhe jemi zotuar se në katër vjetët e ardhshëm do të hapim 160 çerdhe të reja”, pati deklaruar Kurti.

Përveç që nuk janë ndërtuar, në disa nga objektet që janë nisur, kanë ngecur punimet.

Objekti i çerdhes në fshatin Zajm të Klinës është kthyer në vend strehimi për qentë endacakë, thotë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Qemajl Sejdija.

“Në realitet kanë ardhur punëkryesit një javë ditë, por diçka tjetër nga objekti nuk kanë përfunduar. Punime që një vit prej kur jam unë, do të thotë nga koha e pandemisë, nuk ka pasur. Edhe ato punime që janë bërë, kanë filluar të shkatërrohen e të demolohen”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në tetor kur vendosën gurthemelet për ndërtimin e pesë çerdheve të reja, u zotuan se dy objekte në Prizren e Suharekë për fëmijët në nivelin parashkollor do të funksionalizohen në dhjetor. Por kjo nuk ka ndodhur.

Drejtori i Arsimi në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka thënë se ka mbetur pa u kryer vetëm furnizimi me inventar dhe kuzhina. Ai ka thënë se ka marrë premtim nga institucionet që do të funksionalizohet që nga qershori.

Kërkesat nga prindërit për t’i regjistruar fëmijët e tyre në edukimin parashkollor, sipas Bajselmanit, janë të papërballueshme me kapacitete momentale që i posedojnë.

“Çerdhja ‘Flutura’ është për momentin, por kërkesat janë shumë të mëdha, pasi janë mbi 100 fëmijë aty dhe objekti është shumë i vogël. Tani me çerdhen e re kujtojmë që zgjidhet ky problem, pasi çerdhja e re ka të gjitha kapacitet e nevojshme”, ka thënë ai.

Në Ministrinë e Arsimit, zvarritjen e punimeve e kanë justifikuar me ndryshimin e çmimeve në treg për materialin ndërtimor.

“Arsyeja që nuk kanë përfunduar punimet në çerdhen në Prizren dhe Suharekë ka qenë çështja e ndryshimit të çmimeve në treg, si dhe vendimi i Qeverisë për kompensimin e operatorëve ekonomikë për kontratat në periudhë të caktuar. Për këtë arsye, operatorët ekonomikë kanë pritur që ky vendim të hyjë në fuqi dhe të shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kësaj Ministrie.

Për këtë vit, në Ligjin për buxhetin janë ndarë 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja.

“Nga kjo shumë, në vitin 2022 janë kontraktuar: ndërtimi i çerdheve në Podujevë, Gjilan, Doberçan-Gjilan, Kamenicë, Mitrovicë, Prishtinë dhe Gjakovë, ndërsa për vitin 2023 janë në proces të përgatitjes për tenderim ndërtimi edhe i 17 çerdheve, si në: Fushë-Kosovë, Prishtinë, Pejë, Vushtrri, Lipjan, Prizren, Ferizaj, Istog, Viti, Deçan, Gjakovë, Obiliq, Shtime, Rahovec, Mitrovicë dhe Podujevë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në këtë institucion kanë treguar se janë në proces të renovimit dhe adaptimit të objekteve shkollore në çerdhe për fëmijë edhe në 6 komuna si në Junik, në Bajë të Malishevës, në Muzeqinë të Shtimes, në Dobresh të Vitisë dhe në Babush të Ferizajt.

Më pak se 7 për qind e fëmijëve të moshës deri në pesë vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Mospjesëmarrja në edukimin e hershëm ishte përmendur edhe në Raportin e Progresit, si një nga rrethanat që ka ndikuar në rezultatet e dobëta që kanë treguar nxënësit kosovarë në testin ndërkombëtar PISA.