Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për politizim të bordeve të ndërmarrjeve publike e institucioneve publike në përgjithësi.
Ai në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka përmendur Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) si një shembull të tillë.
Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti, ka theksuar se kryeministri Kurti në shumë institucione “ka vendosur dorën personalisht”.
“Kjo është një pjesë e pasqyrës së Qeverisë Kurti dhe pjesë direkte e kryeministrit Kurti, sepse kryeministri në disa sektorë ka vënë dorën personalisht, në AKP jam i bindur që është dora dhe fytyra e kryeministrit, ka vendosur njerëzit më të afërt të tij, që me dekada i ka pasur si pjesë të opozitës, në menaxhment dhe në krye të menaxhmnetit. Ka proklamuar dhe ka sharë sa ka qenë në opozitën ekstreme, sot e kemi të njëjtën metodologji pune, sot e kemi të njëjtën praktikë”
Sipas tij në të gjitha institucionet e pavarura e në të gjithë sektorët, përfshirë shëndetësinë e arsimin, Qeveria nuk po tregon vizion për zhvillim, por po kërkon militantë të besueshëm për të vendosur në krye të tyre.
“Të gjithë sektorët ku ka hapësirë e mundësi investuese, ku ka hapësirë t’i shfrytëzojë resurset, industrinë e rëndë e ka goditur skajshmërish me politizim të skajshëm të bordeve, rregullatorët i ka goditur duke monopolizuar mbi ta fuqinë politike, duke vendosur militantë, dhe krejt sistemi i ndërmarrjeve publike që do të ishte gjenerues i prodhimeve vendore parimisht është i goditur në shkallë të lartë”, është shprehur Shala.
Për vlerën e koeficientit prej 105 eurove, Shala ka thënë se për shumë kategori është diskriminues. Ka përmendur në këtë kontekst nivelin akademik, sistemin e drejtësisë, Policinë, Forcën e Sigurisë së Kosovës e shërbyesit civilë. “Ky është thellim i hendekut të pabarazisë sociale”, ka thënë Shala.
Deputeti i PDK-së ka kritikuar Qeverinë për vlerën e suficitit prej 700 milionë eurove, që sipas tij tregon keqmenaxhim dhe paaftësi të Qeverisë për menaxhuar me buxhetin.
Shala ka thënë se buxheti është rritur si shkak i inflacionit të madh që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar.
“Parimisht janë vjelë mjete pa asnjë logjikë dhe pas asnjë planifikim, mjetet që rrinë në kesh i nënshtrohen një inflacioni shumë të lartë, dhe sot kemi një situatë kur prodhimi vendor ka rënë, kemi ulje si asnjëherë në 10 vitet e fundit, shkalla e inflacionit, kriza sociale, e problemet që janë zinxhirore, zvogëlimi i vendeve të punës si asnjëherë më parë, ikja e të rinjve si mungesë e hapësirave në punë është në shkallë shqetësimi”, ka theksuar Shala.
Ai ka theksuar i vetmi veprim i Qeverisë në këtë mandat është shpërndarja e mjeteve kesh.
“Ma thoni dikush, cili është projekti i tyre lokal apo nacional në periudhën dyvjeçare, përveç shpërndarjes së mjeteve kesh, edhe nëse ka auditim ai do të zbulojë se ka shkelje flagrante në ndarjen e këtyre mjeteve tash e dy vite”, ka theksuar Shala.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për çështjen e tatimit në pronë, duke thënë se vlerësimi i patundshmërive është bërë nga zyrat me anë të telefonatave dhe pa metodologji e pa zonim të mirëfilltë. “Nuk ka zonim të mirëfilltë, ka zonim të vjetër, nuk ka metodologji, është bërë nga zyrat, nga kabineti, një hulumtim i thjeshtë i ka thirrur tre tregtarë i ka pyetur sa po shkon toka në Matiçan, sa po shkon toka në Dukagjin e sa po shkon toka në Llap”, ka deklaruar Shala.
Kritika për Qeverinë ai ka pasur edhe për mosmbështetje të Qeverisë për qytetarët që javë më parë janë prekur nga vërshimet. Sipas tij ata qytetarë nuk janë duke e ndjerë dorën e shtetit.