Arbëri

BE-ja s’i komenton kushtet e Kurtit, SHBA-ja thotë se Asociacioni duhet të bëhet

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është bazë e marrëveshjes për normalizim dhe nuk mund të tejkalohet. Ai ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së se themelimi i tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. E Qeveria e Kosovës nuk ka sqaruar nëse me kushtet që kryeministri Kurti ka prezantuar një ditë më parë, janë njoftuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë

Partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë komentuar kushtet që kryeministri Albin Kurti i ka prezantuar për themelimin e Asociacionit.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë pranuar të flasin për to, por kanë rikujtuar se marrëveshja e nënshkruar në Kuvend është obligim ndërkombëtar dhe se ajo duhet të zbatohet.

Për kushtet nuk kanë pranuar të deklarohen as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

E Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS në Bruksel, është skeptik sa i përket pranimit të tyre.

“Disa prej tyre ka gjasa që të përfillen si ajo që të mos jetë monoetnik, pasi që edhe ashtu në ato komuna jetojnë edhe njerëz që nuk janë me përkatësi etnike serbe. Ndoshta mund ta ndryshojë edhe emrin, por emri është më pak i rëndësishëm sesa përmbajtja, ndoshta edhe ka mundësi që të mos lidhet më si kusht me negociatat me marrëveshjen bazë, që është tash në tavolinë, por vështirë që do të pranojë BE-ja që kjo të lidhet me njohjen e ndërsjellë, pasi që njohja e ndërsjellë nuk po kërkohet në këtë moment”, ka deklaruar Palokaj.

Ndonëse jo për kushtet që prezantoi Kurti, për Asociacionin qëndrimin e ka shpalosur sërish emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për “The Pavlovic Today”, Escobar tha se Asociacioni është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që nuk është zbatuar deri më tani.

“Sido që të shkoni përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do ta keni një Asociacion. A e pranon ose jo Qeveria aktuale e Kosovës obligimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit”, ka deklaruar Escobar.

Escobar në këtë intervistë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk ka rrugë tjetër pos themelimit të Asociacionit, derisa ka shtuar se ai do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Tani brenda atij konstrukti, pozicioni ynë është se duhet të jetë diçka që nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, nën ligjet e Kosovës, që nuk krijon probleme për funksionimin e Kosovës. Me fjalë të tjera, jo si modeli i Republika Srpskas. Çfarë bën sipas mendimit tim, ndihmon Kosovën që të marrë në kontroll shërbimet dhe çështjet që serbët në veri shikojnë nga Beogradi t’i bëjnë, të gjitha ato do të ofroheshin nga Qeveria e Kosovës. Dhe nëse Serbia ka zë në të, duhet të bëhet sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë ai.

Lidhur me kushtet që kryeministri Albin Kurti ka paraqitur në Kuvend, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi. Nuk ka treguar as nëse kushtet u janë prezantuar ndërkombëtarëve, në takimet e fundit që janë zhvilluar me ta.