Arbëri

Qeveria merr tjetër vendim për shpronësime në veri

 

Qeveria e Kosovës ka marrë të enjten dy vendime që lidhen me shpronësim pronash në veri të Kosovës. Me vendimin e parë është autorizuar Ministria e Mjedisit t’i kryejë punët përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë e pronave për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik” në Leposaviq, ndërsa vendimi i dytë që është miratuar ka qenë “shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme” në këtë komunë.

Të enjten gjatë ditës, banorë të fshatit Dren të Leposaviqit kanë protestuar kundër vendimeve të Qeverisë për shpronësim të tokave, që i ka shpallur me interes publik. Punimet në zgjerimin e rrugës janë ndalur e Lista Serbe u ka shkruar ambasadave e misioneve të huaja në Kosovë. Qeveria s’i ka komentuar as ndaljen e punimeve e as protestën. Ndërkaq në mbrëmje ka njoftuar për miratimin e dy vendimeve në një mbledhje elektronike.