Arbëri

Tejkalime në qiratë e banimit për ambasadorët, ankesa për standarde të dyfishta

 

Tejkalime të shumta ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në pagesat mujore për qiratë e banesave të ambasadorëve. Ndryshe nga rregullorja që e përcakton shumën që mund të tejkalohet, MPJD-ja ka aprovuar qira mujore deri në 2 mijë e 600 euro përtej limitit, me arsyetimin e rritjes së çmimeve shkaku i inflacionit. Por diplomatë, të cilëve nuk u janë aprovuar kërkesat për shuma më të ulëta, e kanë kritikuar ministren për qasje selektive

Shuma të majme paguan Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për qiratë e shefave të misioneve diplomatike. Tejkalime të shumave që janë përcaktuar me udhëzimet përkatëse ka në disa prej këtyre misioneve.

MPJD-ja e ka vënë në dispozicion listën me shumat e paguara për ambasadorët, pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, për periudhën janar-shtator të vitit 2022. Këtë e bëri me vonesë dhe në shkelje të afateve ligjore. MPJD-ja ishte përgjigjur vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.