Keqekolla-Sadiku: Themelorja ka vepruar me nguti në rastin e 11-vjeçares
Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku ka thënë se hedhja poshtë e aktakuzave nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje ka qenë një veprim i ngutshëm nga ky institucion.
Gjykata e Apelit të enjten e ktheu rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht në rivendosje, duke vendosur në favor të ankesës së Prokurorisë, pasi Themelorja më 13 janar kishte hedhur poshtë të dy aktakuzat ndaj pesë të akuzuarve, dy persona madhorë dhe tre të mitur.
Keqekolla-Sadiku ka konsideruar se në këtë rast është dashur të ketë më shumë kujdes nga Themelorja, pasi sipas saj, viktimë është një vajzë e moshës së mitur.
“Nuk është rasti më i mirë pse Themelorja e ka hedhur poshtë aktakuzën. Kemi të bëjmë me një viktimë të mitur, duhej më shumë kujdes. Në një rast kaq mediatik, të hedhet poshtë akuza është e papranueshme. Është vepruar me nguti nga ana e Gjykatës”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.
Avokatja tutje ka thënë se në aktvendimin e Themelores nuk ka pasur asnjë lloj sqarimi se çfarë do të ndodhë me dy personat madhorë të cilët ishin nën masat e paraburgimit. Kjo është njëra ndër arsyet pse Apeli ka vendosur në favor të Prokurorisë.
Sipas Keqekolla-Sadikut, Themelorja është dashur të thërrasë konferencë për media për ta sqaruar opinionin për rastin.
“Prokuroria e ka zhvilluar fazën e hetimeve pas ushtrimit të kallëzimit penal. I ka mbledhur të gjitha provat, i ka prezantuar në Gjykatë. Në rastin konkret, do të kishte qenë më mirë Themelorja të thërrasë një konferencë për media që ta sqaronte për opionin për rastin, pasi kemi të bëjmë me dy raste të ndara, njëra është në qershor e tjetra në gusht”, ka shtuar ajo.
Avokatja ka theksuar se asnjëherë nuk i ka rastisur me ndonjë klientë, që Gjykata e shkallës së dytë të kërkojë përmirësimin e aktakuzës pas fillimit të shqyrtimit fillestar, siç ka ndodhur në rastin e 11-vjeçares, ku Apeli i ka kërkuar Prokurorisë një gjë të tillë.
Keqekolla-Sadiku ka thënë se Apeli ka vepruar me procedurë të shpejtë për ta kthyer çështjen në rivendosje.
Në rastin tjetër penal, lidhur me dhunimin e trafikimin e 11-vjeçares, të akuzuar janë tetë persona të tjerë.