Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, derisa ka folur të mërkurën për planin franko-gjerman në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se palët duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
Në konferencën për media të mbajtur më 25 janar, Price u pyet nga gazetarët nëse SHBA-ja ka hequr dorë nga roli aktiv i saj në mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për shkak se nuk përmendet në titullin e planit, referuar atij franko-gjerman. Ai përcolli një siguri se nuk është ashtu dhe shprehi mbështetje të fortë për bisedimet Kosovë-Serbi të udhëhequra nga BE-ja.
"Unë mendoj se ju e keni parë atë të përfaqësuar gjatë rrjedhës së kësaj administrate. Së fundmi, zëvendës ndihmës sekretari ynë, Gabe Escobar, së bashku me përfaqësues të lartë nga BE-ja; nga Gjermania, Franca dhe Italia, kryen një mision të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Ai më tej detajoi rezultatin e bisedimeve nga perspektiva e SHBA-së, duke thënë se “udhëheqësit nënvizuan mundësitë e propozimeve dhe urgjencën e përparimit të shpejtë për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm”.
Price tha se SHBA-ja dhe BE-ja presin që si Kosova ashtu edhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar përmes këtij procesi të dialogut.
“Kjo përfshin arritjen e progresit në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. SHBA-ja fuqishëm inkurajon serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha më tej ai.
Zëdhënësi i DASH-it shtoi se Amerika po vepron në mënyrë të vazhdueshme sa i përket çështjes së Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se është ende thellë e përfshirë në këtë çështje.
“Qasja jonë ndaj konflikteve, tensioneve në mbarë botën shpesh konsiston në këtë. Ne po mbështesim, në disa raste lokale, në disa raste, zgjidhje rajonale. Shtetet e Bashkuara japin mbështetjen, kur dhe si mendojmë se ishin më efektive”, tha Price.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka potencialin të jetë një mjet efektiv për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur konfliktet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.