Arbëri

Nga 7 ligjet e premtuara për 2022-tën, Ministria e Shëndetësisë nuk e finalizoi asnjë

Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor ishte ligji i parë që pritej të merrte miratim gjatë qershorit të vitit të shkuar. Ai nuk figuron në evidencën e ligjeve të miratuara të Kuvendit, ndonëse draftligji është punuar dhe ka dalë në konsultime publike, porse nuk ka kaluar në Qeveri

Ministria e Shëndetësisë nuk ka shënuar sukses në jetësimin e reformës ligjore sektoriale për vitin 2022.

Që nga fillimi i vitit, ky institucion ka planifikuar që t’i kalonte shtatë ligje, mes të cilave përfshiheshin disa të reja, por edhe amandamentimi i disa ligjeve aktuale, porse nuk e ka finalizuar asnjërin.

Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor ishte ligji i parë që pritej të merrte miratim gjatë qershorit të vitit të shkuar. Ai nuk figuron në evidencën e ligjeve të miratuara të Kuvendit, ndonëse draftligji është punuar dhe ka dalë në konsultime publike, porse nuk ka kaluar në Qeveri.

Ministria e Shëndetësisë për vitin 2022 pati plan ta bënte edhe ndryshimin e dy prej ligjeve me të rëndësishme të fushës – atë për Shëndetësi dhe për Sigurime Shëndetësore, porse asnjëri prej tyre nuk ka marrë finalizim as në fazë fillestare.

Nuk është konkretizuar as plani për reformë në fushën e farmaceutikes. Për Ligjin mbi Produktet dhe Pajisjet Mjekësore, i cili ishte planifikuar që të ndryshohej, nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë ndryshimi, bazuar në të dhënat publike në faqen e Kuvendit të Kosovës. Sipas këtyre të dhënave, nuk janë ndërmarrë veprime as për miratimin e Ligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, ndonëse Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka të rregulluar çështjen e çmimit të barnave.

Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e pati ushtruar këtë detyrë edhe në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti 2, pati dhënë zotimin se Ligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale do të ishte i pari që do ta finalizonin në fushën e shëndetësisë.

“Fatkeqësisht, udhëzimi administrativ që ka ekzistuar është anuluar dhe fatkeqësisht e kemi situatën që e kemi. Praktika ka treguar që me udhëzimin administrativ kjo gjë nuk mund të rregullohet. Prandaj edhe në agjendën legjislative, mes ligjeve të para që e kemi në dorë për të proceduar është Ligji për Rregullimin e Çmimit të Barnave, që njëherë e mirë çështja e rregullimit të çmimit të barnave të bëhet përmes ligjit dhe e cila nuk mund të ndryshojë më siç ka ndryshuar deri tani”, pati deklaruar ministri Vitia në qershorin e 2021-tës.

Që atëherë, ai ka dhënë dorëheqje nga detyra, ndërsa Ministrinë e Shëndetësisë më vonë e kanë udhëhequr dy ministra të tjerë. Ani se Vitia është kthyer prapë në këtë detyrë, Ligji për Barna nuk është finalizuar ende.

Më 2022 ishte paralajmëruar që të jetësohej edhe Ligji për Inspektime Shëndetësore, për të cilin MSH-ja pati dërguar një komunikatë disa muaj më parë për të treguar se është duke u punuar në këtë projektligj. Megjithëkëtë, deri më tani asnjë draft i projektligjit nuk ka shkuar në Qeveri.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka numëruar ato që i ka kualifikuar si suksese në fushën e shëndetësisë gjatë vitit të kaluar, duke e përmendur midis tyre kalimin e një ligji – atë për sëmundjet ngjitëse, i cili e ka marrë miratimin vetëm të Qeverisë.

“Ligjin për Sëmundjet Ngjitëse; Koncept-dokumenti për sëmundjet e rralla dhe atë për shëndetin mendor”, është thënë në një postim të Kurtit në Facebook.

Bazuar në Evidencën e Ligjeve, ky dokument nuk figuron mes projektligjeve që e kanë marrë miratimin në Kuvend.

Gjatë vitit të kaluar, disa ligje për shëndetësi janë harmonizuar me disa të tjera, veçmas ai për përcaktimin e saktë të gjobave, porse ato nuk hyjnë te reforma ligjore.

Në bazë të evidencës së ligjeve, dokument ky që gjendet në faqen e Kuvendit dhe që tregon për ligjet e miratuara nga ligjvënësit e secilës legjislaturë, nisur që nga paslufta e deri më 24 dhjetor të vitit 2021, asnjë ligj i ri në sektorin e shëndetësisë nuk është miratuar. Si të amendamentuara figurojnë gjashtë ligje, përderisa kanë kaluar dy ligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë. Në reformë ligjore, Ministria e Shëndetësisë pati shënuar dështim edhe më 2021.

Lidhur me to, Ministria e Shëndetësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.