Arbëri

Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Nga Grupi Socialist dhe ai Demokrat është njoftuar se në raportin e rezolutës së miratuar të Parlamentit Evropian është përfshirë fjalia ku kritikohen përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e rajonit. Rezoluta i jep mbështetje arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, përmes njohjes së ndërsjellë. Aty thuhet po ashtu se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe u bëhet thirrje pesë vendeve të BE-së që ta njohin pavarësinë

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën në seancë plenare në Strasbourg një rezolutë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, e cila përfshin një spektër të gjerë fushash. Pasi fokusi është në kërcënimin që për politikën e BE-së paraqet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, një pjesë e rezolutës i kushtohet edhe ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Rezoluta është aprovuar me 407 vota në favor, 92 vota kundër dhe 142 abstenime.

Aty kërkohet që BE-ja ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, si me vendet kandidate, ashtu edhe me kandidatët potencialë. Po ashtu kërkohet që sa më parë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

Njoftohet se në momentin e fundit në rezolutë është përfshirë edhe pjesa në të cilën mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë ka njoftuar grupi socialist në Parlamentin Evropian.

Pasi është votuar për më shumë se 100 amendamente, duhet pritur që të gjitha pikat e aprovuara të botohen në versionin final të këtij raporti.

Nga Grupi Socialist dhe ai Demokrat është njoftuar se në raport është përfshirë edhe fjalia ku kritikohen përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e rajonit, ndërsa mbështetet arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, përmes njohjes së ndërsjellë. Aty thuhet se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kërkohet nga 5 vendet e BE-së që ta njohin pavarësinë.

Teksti përmend ndikimin negativ të Rusisë në rajonin e Ballkanit, me synim të destabilizimit të tij dhe bëhet thirrje që të parandalohet ky ndikim.

Në mënyrë të veçantë në tekst i bëhet thirrje Serbisë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE, që t’i respektojë vlerat evropiane dhe ta përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Në tekstin e miratuar bëhet thirrje edhe për masa ndaj atyre që rrezikojnë unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe për sanksione ndaj liderit të entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik.

Me këtë rezolutë kërkohet nga Komisioni Evropian që të nisë hetime të brendshme ndaj komisionerit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, për shkak të raporteve se ai ka ndërhyrë për të anashkaluar shkeljen e vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në disa vende kandidate. Disa deputetë e akuzojnë komisionerin Verhelyi për përpjekje për të penguar kritikat ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e po ashtu edhe për afërsi të tij me liderin e serbëve të Bosnjës-Hercegovinës, Miolorad Dodik.