Arbëri

PE: Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së, të hapë kapitull të ri bisedimesh me Serbinë

Me 353 vota për është miratuar të mërkurën në Parlamentin Evropian rezoluta për Kosovën. Miratimit i ka paraprirë një debat, i cili është zhvilluar një natë më parë e ku ka marrë pjesë edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos. Ajo ka thënë se është në interes të Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet, duke e veçuar edhe miratimin e një marrëveshjeje që lidhet me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian

Me shumicë prej 353 votash në favor, 145 kundër dhe 78 abstenime, Parlamenti Evropian (PE) e ka miratuar në seancën plenare të së mërkurës rezolutën për Kosovën.

Ky raport e inkurajon Kosovën që të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) por u kërkon po ashtu si Kosovës ashtu edhe Serbisë që të hapin kapitull të ri në bisedimet për normalizim.

“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, ka thënë raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.

Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kanë kërkuar të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe në ato ndërkombëtare.

E në prag të votimit, të martën mbrëma është zhvilluar edhe një debat në të cilin, krahas deputetëve të PE-së, ka marrë pjesë edhe komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos. Ajo ka thënë se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet. 

“Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e veta për t’i çuar përpara reformat urgjente evropiane”, ka thënë Kos, teksa ka veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri. “Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, ka thënë Kos.

Ajo ka përsëritur edhe nevojën që Kosova të përmbushë pa vonesa obligimet e veta nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, komisionerja Kos është shprehur se Komisioni është i gatshëm që ta nisë punën për përpilimin e mendimit për kërkesën e Kosovës sapo ta marrë mandat për këtë nga Këshilli i BE-së.

Ndërkaq raporti i Parlamentit Evropian, i cili është miratuar më herët nga Komisioni i Politikës së Jashtme, e përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe u bën thirrje vendeve anëtare që të nisin punën për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Parlamenti Evropian edhe me këtë raport ka kërkuar nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

Parlamenti Evropian ka kërkuar edhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat BE-ja ia ka vendosur para dy vjetësh. Sipas eurodeputetëve, më nuk ka arsye për masa të tilla pasi që Kosova i ka përmbushur kushtet për heqjen e tyre.

Edhe Terrasi, i cili është eurodeputet nga Estonia dhe raportuesi për Kosovën, ka kërkuar gjatë debatit të së martës mbrëma që Kosovës t’i hiqen këto masa.

“Kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që në fillim. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur agjendën evropiane të Kosovës. Kjo është arsyeja pse duhet t’i heqim masat dhe t’i mundësojmë Kosovës të avancojë duke përdorur fondet të cilat i ofrojmë”, ka thënë ai.

Në raport shprehet po ashtu edhe shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc. Përsëritet kërkesa adresuar Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve në Banjskë, përfshirë udhëheqësin e tyre Milan Radoiçiq.

Raporti për Serbinë, i përgatitur nga deputeti kroat Tonino Piculla, ka kritikuar ashpër Serbinë për shkak të raporteve me Rusinë dhe për përpjekjet për t’i destabilizuar shtetet fqinje. PE-ja po ashtu ka kritikuar “politikën përkëdhelëse” të Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe e ka ftuar Komisionin që për Serbinë “të flet me një gjuhë të qartë”, duke mos i relativizuar problemet që i ka Serbia. 

Për më tepër, Parlamenti Evropian ka kërkuar që ndihma financiare për Serbinë të rishqyrtohet nëse vazhdojnë raportet e tilla të Beogradit me Moskën zyrtare.