Arbëri

Digjen disa kamionë në një barrikadë në veri

Descriptive Text

Disa kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të veriut janë djegur gjatë natës.

Djegien e kamionëve në barrikada e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës. “Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë rasti është duke u hetuar dhe se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar.

Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.

Djegia e këtyre kamionëve ndodh pikërisht në ditën kur pas 20 ditësh bllokimi pritet që të largohen barrikadat nga rrugët e katër komunave veriore Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Pantiq u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak.

Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

{gallery}

VIDEO: