Arbëri

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon Bidenit t’i bëjë presion Serbisë për heqjen e barrikadave

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që t’i bëjë presion Serbisë për largimin e barrikadave.

Me anë të një letre të hapur adresuar Bidenit, Këshilli ka theksuar se Kosova synon të bëhet shembull i demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Mirëpo, sipas ambasadorëve këto objektiva dhe paqja në rajon janë ende të kërcënuara.

Ata kanë theksuar se janë thellësisht të shqetësuar dhe skeptikë lidhur me përkeqësimin e gjendjes në veri të Kosovës, si kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

“Kërkojmë vëmendjen tuaj ndaj zhvillimit të këtyre situatave, me qëllim që të krijohet një mjedis i sigurt, duke i bërë presion Serbisë dhe aleatëve të saj në Kosovën Veriore që të heqin të gjitha pengesat dhe bllokadat dhe të lejojnë rikthimin e shpejtë në kushtet normale, çka do lehtësonte përparimin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në këtë letër.

Sipas tyre bllokadat e vendosura në veri kanë paralizuar jetën dhe kanë ndërprerë lëvizjen e lirë të njerëzve në rrugët kryesore që lidhin Kosovën me Serbinë. “Banorët që jetojnë në veriun e populluar kryesisht nga serbë po përballen me vështirësi dhe ndodhen në një atmosferë frike dhe kërcënimi të përhershëm nga grupet kriminale që veprojnë me mbështetjen e Beogradit”, thuhet në letër.

Ata kanë theksuar se Serbia është angazhuar në një luftë të vazhdueshme hibride kundër Kosovës dhe institucioneve të saj.

“Veç kësaj, Serbia ka vepruar në rajonin tonë si proxy e Rusisë. Lidershipi i saj po punon me të njëjtin skenar që ka përdorur Rusia përpara se të fillonte pushtimin ndaj një vendi të pavarur dhe sovran si Ukraina në vitin 2014. Kjo fushatë hibride destabilizuese drejtohet kundër pavarësisë, demokracisë dhe natyrës së hapur të Kosovës, paqes e sigurisë në rajon”, thuhet në këtë letër.

Sipas tyre pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës, për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionet, jeta në atë pjesë të Kosovës vazhdon të jetë në rrezik dhe e pasigurt. “Ata që i hedhin benzinë zjarrit brenda Kosovës ndihmohen dhe nxiten nga qeveria serbe. Kjo përbën një kërcënim serioz për sovranitetin dhe shtetin e Kosovës, paqen dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në këtë letër.

Këshilli ka vlerësuar se thirrja e pajustifikuar dhe e paprovokuar e Beogradit për të dërguar 1000 ushtarë serbë në territorin e një vendi tjetër të pavarur fqinj nuk është vetëm kërcënim i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, “por, nisur nga roli i NATO/KFOR, si garantues i sigurisë rajonale, ajo rrezikon të kthehet në një konflikt dhe më të gjerë”.

“Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, të cilat vazhdojnë pa asnjë lloj s’mbrapsje, pavarësisht vazhdimësisë së sulmeve brutale të Kremlinit mbi Ukrainën duhet të ishin kundërshtuar shumë kohë më parë. Serbia ka importuar armatime të rënda gjatë shumë viteve të kaluara nga Rusia, duke shkelur ligjin amerikan mbi sanksionet. As tre muaj më parë, Serbia nënshkroi me Rusinë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme. Gjithashtu, Serbia është i vetmi vend evropian, përveç Bjellorusisë, që nuk ka zbatuar sanksionet ndaj Rusisë”, thuhet në letër.

Ata janë shprehur të shqetësuar nga moskundërshtimi i vazhdueshëm i SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë dhe se shpresojnë të shohim rishikimin e qëndrimit të tyre në favor të një përqasjeje, e cila e konsideron përgjegjës Beogradin. “Retorika që po përdor lidershipi serb në Beograd është kujtese e të kaluarës dhe nuk do lejuar të rishfaqet. Skenarët që zbatoi rregjimi i Millosheviqit gjatë viteve 90 kundër pjesës tjetër të Jugosllavisë po vihen në skenë sërish. Presidenti Aleksander Vuçiq, i cili ka shërbyer si Ministër i Informacionit i Millosheviqit sot udhëheq makinën serbe të dizinformimit, e cila e drejton foninë e saj të viktimizimit dhe propagandën e mbushur me urrejtje kundër Kosovës”, thuhet në letër.