Arbëri

Ministri Peci shfuqizoi vendimin për përdorimin e veturës zyrtare nga zv.kryeshefi i APK-së

Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pas raportimit të KOHËS ka shfuqizuar vendimin e tij të jashtëligjshëm, që autorizonte përdorimin e veturës zyrtare jashtë orarit të punës në periudhën njëvjeçare nga zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Bekim Hoxha. Por, të njëjtën ditë Peci ka lëshuar autorizim të ri për Hoxhën, që lejon përdorimin e veturës zyrtare për 72 orë, me arsyetimin e njëjtë me të parin – monitorimin e punëve në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve

Afro tri javë pas raportimit të KOHËS, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shfuqizuar vendimin e tij të jashtëligjshëm, që autorizonte përdorimin e veturës zyrtare jashtë orarit të punës në periudhë njëvjeçare nga zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Bekim Hoxha. Por, në të njëjtën ditë, ai ka lëshuar një autorizim të ri për Hoxhën, që lejon përdorimin e veturës zyrtare për 72 orë.

Vendimi i Ekzekutivit, i datës 12 maj 2020, parasheh që të mos lejohet përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të punës, me përjashtim të disa rasteve që bëhen me autorizim, por jo më gjatë se 72 orë.

Ani se për gati një vit ministri Peci e kishte shkelur këtë vendim, më 6 dhjetor përmes një e-maili kishte kërkuar nga departamentet dhe agjencitë që veprojnë në kuadër të dikasterit që udhëheq që ta zbatojnë me përpikëri atë.

“Me kërkesën e ministrit Faton Peci po ju përsëris edhe njëherë e-mailin e dërguar më datën 6.12.2022 për zbatimin e Udhëzimit administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vendimit të kryeministrit të datës nr.02/30 i datës 12.5.2020 për përdorim të automjeteve të QRK, respektivisht nenit 9 të U/A – nr.03/2008 për parkimin e automjeteve zyrtare pas përfundimit të orarit të punës”, thuhet në email.

Përmes këtij emaili kërkohet nga zyrtarët e Ministrisë që të jenë më racionalë në shpenzimin e parasë publike. Paraprakisht, ministri Peci e kishte arsyetuar lëshimin e autorizimit, duke thënë se vetura është dhënë në shfrytëzim për mbrojtjen dhe parandalimin e prerjeve të pyjeve.

“Kryeshefi është në funksion, ai e ka mandatin kryesor bashkë me komunat në aspektin e implementimit të taskë-forcës për parandalimin e prerjeve ilegale”, kishte thënë Peci.

Nga Ministria e Bujqësisë nuk janë përgjigjur në pyetje rreth kësaj çështjeje që nga dita e hënë.

KOHA ka raportuar se Agjencia e Pyjeve gjatë periudhës janar-tetor ka shpenzuar rreth 60 mijë euro për derivate dhe i ka në dispozicion rreth 50 vetura.

Zëvendëskryeshefi i Agjencisë, Bekim Hoxha, ka shpenzuar rreth 3 mijë e 155 euro. Kjo i bie që rreth 6 për qind të shpenzimeve për karburant për këtë periudhë janë bërë vetë nga Hoxha.

Dhënien e autorizimit për një vit e kishte arsyetuar ditë më parë për KOHËN ministri i Bujqësisë, Faton Peci, me rolin e zv.kryeshefit në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

“Vetura zyrtare jepet në shfrytëzim për angazhimin e punës së përditshme. Ne kemi 44 për qind të territorit të Republikës së Kosovës... Dhe njëra nga arsyet të këtij aktiviteti është pajisja me vetura, përveç pajisjeve të tjera. Kështu që edhe këto pajisje do të jenë në shfrytëzim 24 orë”, ka thënë Peci.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në ditën kur APK-së i janë dorëzuar gjashtë vetura nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë, që kanë për qëllim të ndihmojnë në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

Bekim Hoxha nuk është përgjigjur lidhur me atë se sa kontrolle dhe monitorime i ka bërë jashtë orarit të punës dhe cilat janë gjetjet dhe konstatimet nga këto kontrolle.

Ndërsa, Qeveria në përgjigjen e saj ka thënë se janë në dijeni të çështjes së ngritur nga KOHA.

”Nga komunikimi me Ministrinë e Bujqësisë e kemi kuptuar se një vendim i tillë është marrë me qëllim të rritjes së inspektimeve nga agjencia në fjalë. Nga po ai komunikim, na është konfirmuar se autorizimi i ministrit do të harmonizohet me kufizimet që përcakton vendimi i Qeverisë, gjithmonë duke ruajtur qëllimin fillestar të autorizimit të ministrit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Shpenzime të shumta nga zëvendëskryeshefi janë bërë edhe për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Ai brenda 10 muajve ka shpenzuar 3 mijë e 350 euro, prej të cilave mbi 1 mijë janë mëditje.

Këto shpenzime janë më të larta sesa ato të vitit 2019 që i kishte bërë ish-kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu. Ai kishte shpenzuar brenda një viti 428 euro.