Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, ndaj gazetares së Grupit KOHA, Saranda Ramaj, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.
Sipas videos nga Komisioni, anëtarja e Bordit të OSHP-së, i është referuar Ramajt kur ka thënë se “është vetëm një gazetare e zëshme dhe jashtëzakonisht dezinformuese”.

“Kam kërku nga anëtarët e bordit edhe jemi duke e diskutuar a me inicu një rast për këtë gazetare? A me lajmërua na Komision (të Kuvendit)”, citohet të ketë thënë Gashi, sipas AGK-së.
Ajo i është referuar raportimeve të Ramajt dhe KOHËS për kontraktimin e barnave pa certifikatën e cilësisë.
Asociacioni i Gazetarëve i ka vlerësuar skandaloze dhe të papranueshme ulmet e Gashit ndaj Ramajt, “duke përfshirë thirrjen për masa për shkak të punës së saj, që janë të paimagjinueshme në sistemin demokratik të vendit”.
Ky asociacion i ka ftuar institucionet publike që të sigurohen për transparencë në vendimet që marrin për shkak të interesit publik dhe të mos provojnë të angazhohen në “aksione disiplinore” kundër gazetarëve.