Deputetët në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar që të bëjnë pauzë, para se të nis seanca e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Strategjisë së energjisë për periudhën 2022-2031. Por kjo nuk është marr pranuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. “Jo, jo po e kryejmë, sepse kjo kryhet shumë shpejt, pse të kthehemi për një pikë”, ka thënë ai.
Konjufca e ka ftuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që në emër të Qeverisë ta prezantojë Strategjinë.
Derisa ajo ishte duke folur për rëndësinë e Strategjisë, Konjufca është detyruar që të ju tërheq vërejtjen deputetëve që nuk e dëgjonin.
“Ju lutem deputetë, po prezanton ministrja, vetëm uluni ne vendet tuaja. Ju thashë nuk kemi pushim njëherë, uluni ne vendet tuaja”, ka thënë Konjufca.
Rizvanolli: Synojmë një sektor që siguron furnizim të rregullt me rrymë, me çmim të përballueshëm
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku është duke u shqyrtuar Strategjia e energjisë për periudhën 2022-2031, ka folur për rolin e kësaj Strategjie në fushën e energjisë.
Ajo ka thënë se Strategjia është dokument themelor që përcakton drejtimin dhe veprimet kryesore për zhvillimet në sektorin e energjisë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Rizvanolli ka thënë se Plani 3-vjeçar i veprimit për zbatimin e Strategjisë, do të publikohet për konsultime publike pas miratimit të saj.
Ajo ka thënë se gjatë procesit të hartimit të Strategjisë janë konsultuar të gjithë partnerët dhe qytetarët.
“Nga të gjitha këto diskutime, me kënaqësi e them se ka një koncensus të gjerë mes akterëve dhe qytetarëve, për atë se ku dëshirojmë të arrijmë. Një sektor energjetik i cili na siguron furnizim të rregullt me energji elektrike, me çmim të përballueshëm dhe sa më pak ndotje”, ka theksuar Rizvanolli.
Sipas saj në Strategji kanë dhënë zgjidhje të reja që ndërthurin të tashmen e sistemit me të ardhmen në të cilën planifikojnë të ecin.
"Sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të integrohet në tregun rajonal dhe në atë panevropian në vitin 2030 më se largu, ndërsa pavarësia e tij do të sigurohet gjithnjë e më shumë përmes burimeve të ripërtërishme të energjisë”, ka theksuar Rizvanolli.
Ndërsa për integrimin e tregut me Shqipërinë ka thënë se është prioritet i lartë dhe i rëndësishëm për Kosovën. “Hapi i parë dhe më i rëndësishëm do të jetë funksionalizimi i plotë i bursës shqiptare të energjisë, pra bursës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, që pritet të ndodh në vitin 2023", ka deklaruar Rizvanolli.
Seanca e jashtëzakonshme për shqyrtimin e kësaj Strategjie, është thirrur me nënshkrimin e 41 deputetëve.