3 perditesime
23:16

Rohde: Asociacioni një lloj autonomie që nuk e kërcënon integritetin e sovranitetin e Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një detyrim që e ka marrë Kosova.

Rohde në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se nuk është qëllimi të formohet një Republika Sërpska tjetër. Ai ka thënë se një OJQ gjermane ka bërë një propozim për Asociacionin, që është qartë në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015.

“Kategorikisht e refuzoj bosnjëzimin, apo këtë Republikën serbe, sa herë e kam thënë unë dhe kolegët e ambasadave të tjera se, qartazi, kjo nuk është Republikë serbe. Dhe një OJQ gjermane, së bashku me Institutin Evropian për Paqe së voni e kanë publikuar një propozim për Asociacionin, i cili shumë qartë është hartuar të jetë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga 2015-a, e cila gjithashtu parasheh disa kompetenca në fushën e shëndetësisë dhe arsimit e mbase edhe planifikim. Dhe kjo e gjitha është në harmoni me ligjet e Kosovës. Është një lloj i autonomisë në disa sfera që nuk e kërcënon integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës. Dhe, e përmirëson një situatë ku tash e keni realitetin e strukturave paralele, që nuk janë përherë të kontrolluara nga Qeveria e Kosovës, e më pas e keni një strukturë që është plotësisht me rregullativat kosovare. Unë vetëm mund të them: ku është problemi këtu? I gjithë diskutimi ynë këtu është që të përmbushen marrëveshjet e kaluara, në kërkim të zgjidhjeve inovative”, ka thënë Rohde.

Ai ka përmendur rastin e Asociacionit të danezëve në Gjermani.

“Nga vij unë, në Gjermani, kemi një grup minoritar të danezëve. Ata kanë Asociacionin e vet. Kanë spitale dhe të gjitha. Ata marrin para nga Danimarka. Dhe shumë gjermanë i dërgojnë fëmijët në shkollat e tyre, që janë më mirë të pajisura sesa shkollat gjermane”, tha Rohde.

Ai ka treguar se marrëveshja ishte lidhur me Danimarkën katër vjet pasi e kishte pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rohde ka folur edhe për propozimin që po njihet si “franko-gjerman”, ndonëse nuk ka hyrë në detaje.

“E keni parë propozimin evropian i frymëzuar nga Gjermania e Franca, e dini, që u përpoq t’i çonte gjërat para. Të gjitha këto propozime i përfshijnë marrëveshjet nga e kaluara, përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ato e sigurojnë një shteg përpara për Kosovën dhe e dini, ne duam, e në veçanti Gjermania, të ndodh kjo. Keni pasur vizita nga Gjermania. E kemi pasur Samitin në Berlin, për Procesin e Berlinit. E keni pasur këtë propozim tash për statutin e Asociacionit, të gjitha këto, të themi, janë të shtyra nga Gjermania, apo janë ide gjermane për ta shtyrë Kosovën më afër strukturave euroatlantike”, tha Rohde.

Rohde ka thënë se propozimi për statutin e Asociacionit, është përgatitur nga një OJQ gjermane, Fondacioni Ebert, së bashku me Institutin Evropian për Paqe. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës mund ta përdorë duke e zgjidhur situatën, e përherë duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

“Një OJQ gjermane, Fondacioni Ebert që e botoi atë së bashku me Institutin Evropian për Paqe, siç e kuptoj unë, ky është një mjet, që Qeveria e Kosovës, pra një qeveri sovrane mund ta përdorë si projekt ideor për ta zgjidhur situatën dhe përherë duke e respektuar Kushtetutën e Kosovës”, tha Rohde.

Rohde për përmbajtjen e propozimit “franko-gjerman” ka thënë se gjitha palët e përfshira janë dakorduar ta ruajnë konfidencialitetin.

Rohde gjatë intervistës është pyetur edhe për deklaratat e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që tha se nëse Qeveria e Kosovës se zbaton Asociacionin atëherë “do të gjenden partnerë alterantivë, shoqëria civile, bashkësia afariste”.

Rohde ka thënë se Asociacioni është obligim kontraktual i Kosovës dhe duhet të zgjidhet.

“Është një OJQ gjermane, një fondacion, që tashmë e ka hartuar një propozim. Pra, kjo rrjedh nga shoqëria civile dhe siç e thashë më herët, kjo është zgjedhje e Qeverisë nëse e pranon ose jo, sepse duhet ta zgjidhni një problem. E keni një obligim kontraktual. Miqtë tuaj më të mirë ju thonë se duheni të ndërmerrni diç në atë drejtim. Ta them troç: nuk shoh asnjë zgjidhje që nuk e adreson këtë propozim, madje edhe Qeveria, para disa javësh iu bashkua deklaratës evropiane në Bruksel ku thuhet se krejt marrëveshjet paraprake duhen respektuar, të gjitha”, tha Rohde.


Rohde flet për mundësinë e një marrëveshje Kosovë – Serbi në pranverë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur edhe nëse është reale të pritet arritja e një marrëveshje Kosovë – Serbi në pranverë të vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se Serbia e Kosova duhet të pajtohen për ndonjë gjë. Rohde ka thënë se ky vit ka qenë vendimtar për Kosovën, ndërsa i ka bërë Qeverisë së Kosovës thirrje që të bëjë çmos për të përshpejtuar “trenin”.

“Po ta kisha një sferë xhami, e nuk e kam, do ta dija. Unë shpresoj se do të arrihet. Unë jam pjesë e profesionit që i shikon gotat gjysmë të mbushura dhe po shoh se ka shumë kapital politik, investuar nga miqtë më të mirë të Kosovës, që të shtyhet para një marrëveshje. Ajo që na duhet është që të dyja palët kryesore të interesit, Serbia e Kosova, të pajtohen për diçka. Po përpiqemi të ndihmojmë sa më shumë që mundemi. Ju duam në Evropë, por edhe ju, Serbia a Kosova, duhen ndërmarrë diçka për të lëvizur andej. Ne mund t’ju ofrojmë këshillat dhe mjetet. Ky ka qenë vit vendimtar për Kosovën, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aplikimi për anëtarësim në BE, do ta kemi liberalizimin e vizave brenda një viti. Aplikacionet nuk janë ende në realizim, por, siç e tha kryeministri dje: treni është nisur nga stacioni dhe i ftoj të gjithë që të hipin në të dhe Qeverinë e Kosovës që të bëjë çmos për ta përshpejtuar trenin me vendime që sjellin progres”, tha Rohde.

Për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e BE-as pas dhjetë vjetëve, Rohde ka thënë se është pyetje hipotetike.

“Së fundmi kemi pasur një anketim për anëtarësimin e mundshëm në BE dhe me ritmin aktual të reformave mund të marrë ndërmjet 15 dhe 55 vjetësh. Qeveritë në shtetet e ndryshme duhet t’i përshpejtojnë reformat për çështje të ndryshme. Pra, progresi mbështetet mbi meritat dhe janë edhe detyrat që BE-ja duhet t’i kryejë. Edhe ne duhet ta reformojmë veten. Duhet ta reformojmë të drejtën e votimit, gjashtë anëtarë të rinj, po qe se mbetet në fuqi e drejta e vetos për disa çështje, kjo mund ta gjymtojë BE-në”, tha Rohde.

23:03

Rohde: Kërkesa e Vuçiqit për KFOR-in është absurde

Kërkesa e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për KFOR-in lidhur me kthimin e trupave serbe në Kosovë, është absurde dhe e papranueshme, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai në një intervistë për Interaktivin, ka thënë se qëndrimi i Gjermanisë është i qartë sa i përket kësaj kërkese dhe sipas tij, edhe SHBA-ja e ka të njëjtin qëndrim.

“Siç e dini, ministrja ime e ka thënë qartë, është kërkesë e papranueshme. Është thënë thjesht: një kërkesë absurde. Kemi Rezolutën 1244. Janë disa paragrafë që ishin aplikuar në gjendjen e atëhershme. Për ne si Gjermani dhe të gjitha ato vende që e kanë njohur Kosovën e pavarur, ne e njohim Kosovën si vend të pavarur. Është e paimagjinueshme që në një vend të pavarur ne do të bënim diçka kundër dëshirës së një vendi të pavarur. Prandaj e konsiderojmë atë kërkesë të papranueshme. Po. Ky është qëndrimi ynë i qartë, nuk është vetëm qëndrim i yni. Mendoj se edhe SHBA-ja ka një qëndrim të ngjashëm”, ka thënë ai.


Rohde kërkon të zbatohet vendimi për Manastirin e Deçanit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi tokën e Manastirit të Deçanit.

Rohde në Interaktiv të KTV-së ka thënë se pesë qeveri rresht nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet posaçërisht që minoritetet të ndihen se janë në shtëpinë e tyre në këtë shtet. Prapë, 90 për qind në Kosovë i përkasin një etnie dhe pjesa e mbetur minoritetet e tjera etnike. Pra, t’iu jepet ndenja se janë në shtëpi. Dhe prapë ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe veten, në ngjarje të ndryshme, me deklarata të QUINT-it, kemi kërkuar zbatimin e vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit. Ky është vendim i gjykatës së Kosovës. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi zbatimin e tij. Pesë qeveri të njëpasnjëshme nuk kanë bërë asgjë. Natyrisht se ky vendim kësaj qeverie i ka mbetur nga qeveritë e kaluara, por nëse nuk e respektoni një vendim të gjykatës, ju e minoni kredibilitetin tuaj kur flisni për sundimin e ligjit. Dhe veçanërisht ai vendim i cili është test për komunitetet minoritare se sa e sinqertë është qeveria me ligjet që nuk janë në mënyrë partikulare të pëlqyeshme për shumicën”, tha Rohde.

22:58

Rohde për ndalimin e Trajkoviqit: Duket se të gjithë kundërshtarët e Vuçiqit në Kosovë po kërcënohen

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka krahasuar arrestimin e politikanes serbe, Rada Trajkoviq, me atë të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për çka tha se nuk ka parë reagime të njëjta për të dyja rastet nga Lista Serbe.

Ai tha të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, se jo vetëm që nuk është bërë zhurmë e njëjtë - sikurse para më shumë se një jave për Pantiqin - edhe me rastin e Trajkoviqit, madje për këtë të fundit kishte një qetësi absolute nga të njëjtin politikanë.

“Unë kërkoj nga secila forcë politike depërshkallëzimin e situatës dhe sjellje racionale. Kurdo që dikush arrestohet, sikurse është rasti i javës së kaluar me rastin e një ish-anëtari të Policisë së Kosovës, me origjinë serbe, që zgjoi jehonë të madhe për represion ndaj serbëve, por kur javën e kaluar një politikane serbe nga Kosova, zonja Trajkoviq po mbahej nga Policia serbe në kufi, kishte një qetësi absolute nga të njëjtit politikanë”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se nuk duhet të përdoren standarde të dyfishta.

“Madje pashë edhe shumë anëtarë të shoqërisë civile nga komuniteti serb duke kritikuar për mënyrën se si ishte mbajtur në kufi zonja Trajkoviq në kufi dhe pashë raportime se vajza e saj po ashtu ishte marrë në pyetje në Aeroportin e Beogradit. Kështu që, ju lutem, nëse kritikoni diçka, ju lutem mos aplikoni standarde të dyfishta”, shtoi ai.

Sipas tij, të gjithë kundërshtarët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë po kërcënohen.

“Duket ashtu. 10 ditë më parë Qeveria e Kosovës e ngarkoi zotërinë Nenad Rashiq si ministër. Retorika që dëgjuam rreth tij nga Serbia është po ashtu siç ka thënë ministrja ime gjermane, retorikë e përshkallëzimit dhe e papranueshme”, është shprehur ai.

22:57

Rohde: Barrikadat të hiqen para Krishtlindjeve

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është shprehur optimist se heqja e barrikadave ilegale të vendosura në veri të Kosovës do të ndodhë së shpejti.

Në një intervistë të hënën dhënë “Interaktivit” të KTV-së, Rohde ka thënë se KFOR-i po qëndron në këtë zonë për të ofruar ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë, megjithatë sipas tij, barrikadat duhet të hiqen sa më shpejt nga ata që janë vendosur.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Siç e dini, duhej të mbaheshin zgjedhjet. Dhe tash kërkoj që në veri njerëzit t’i thërrasin mendjes e sidomos lidershipit”, ka thënë ai.

Rohde ka shtuar se banorët në veri po vuajnë, pasi pikat kufitare dhe shkollat janë të mbyllura, andaj sipas tij këto barrikada duhet të hiqen para festës së Krishtlindjeve.

“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Na duhet dialog dhe jo konfrontime. Qeveria ime qëndron sigurisht me Qeverinë e Kosovës për ta depërshkallëzuar situatën. Ata që janë përgjegjës për barrikadat duhet ta mendojnë mirë që po e bëjnë popullatën e tyre të vuajë”, ka thënë ai.