Arbëri

Rohde: Barrikadat të hiqen para Krishtlindjeve

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është shprehur optimist se heqja e barrikadave ilegale të vendosura në veri të Kosovës do të ndodhë së shpejti.

Në një intervistë të hënën dhënë “Interaktivit” të KTV-së, Rohde ka thënë se KFOR-i po qëndron në këtë zonë për të ofruar ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë, megjithatë sipas tij, barrikadat duhet të hiqen sa më shpejt nga ata që janë vendosur.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Siç e dini, duhej të mbaheshin zgjedhjet. Dhe tash kërkoj që në veri njerëzit t’i thërrasin mendjes e sidomos lidershipit”, ka thënë ai.

Rohde ka shtuar se banorët në veri po vuajnë, pasi pikat kufitare dhe shkollat janë të mbyllura, andaj sipas tij këto barrikada duhet të hiqen para festës së Krishtlindjeve.

“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Na duhet dialog dhe jo konfrontime. Qeveria ime qëndron sigurisht me Qeverinë e Kosovës për ta depërshkallëzuar situatën. Ata që janë përgjegjës për barrikadat duhet ta mendojnë mirë që po e bëjnë popullatën e tyre të vuajë”, ka thënë ai.