Arbëri

Sveçla përgënjeshtron Vuçiqin: Përpjekje të dështuara për t’i kamufluar grupet e tij kriminale

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili në një konferencë për media të shtunën ka thënë se polici Ekrem Neziri u lëndua nga xhamat e jo nga plumbat.

Sveçla ka publikuar fotografit të cilat, sipas tij, dëshmojnë se polici Neziri u plagos me armë zjarri. Ka shtuar se ka dëshmitarë të KFOR-it që kanë shkuar në vendngjarje dhe plagosjen e konfirmon edhe raporti mjekësor.

Ministri i Brendshëm ka thënë se Vuçiqi nuk po ka më arsyetime dhe i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, “atij të propangaduesit, siç e kishte emrin Ministria që ai drejtonte në kohën e Millosheviqit”.

“Sulmet ndaj zyrave të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Këto të pavërteta, siç thotë Sveçla, janë përpjekje të dështuara të Vuçiqit që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.

“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t'i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë. Propaganda e tij më nuk gjen adresë, askund”, ka shtuar ai.

Sveçla në fund ka thënë se “do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar ditëve të fundit që kur u sulmuan dhe nuk u lejuan të hyjnë në zyrat e tyre, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në katër komunat ku parashihej mbajtja e zgjedhjeve për 18 dhjetor. Nga e enjtja ka shtim të pranisë të Policisë në veri. Një polic është plagosur si pasojë e një sulmi me armë të gjata në Zveçan.

Sot, e shtunë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vendosi që t’i shtyjë zgjedhjet për shkak të situatës së tensionuar. Në të njëjtën ditë është arrestuar një ish-polic serb i cili dyshohet për sulmet e organizuara në veri. Si protestë serbët kanë bllokuar disa rrugë në veri, e për qarkullim janë mbyllur pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

helal