Arbëri

Zyrtare: Zgjedhjet në veri shtyhen për në 23 prill

Veriu i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është vendosur që zgjedhjet për kryetarë të komunave të veriut të shtyhen për në 23 prill të vitit 2023, për shkak të nivelit të rrezikshmërisë. Pas takimit me përfaqësues të partive, Osmani ka thënë se ka marrë një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut. Ka refuzuar të japë detaje mbi raportin.

Zgjedhjet në veri paraprakisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore një muaj më herët. Të gjithë kryetarët ishin nga Lista Serbe, që nisi bojkotin e institucioneve të Kosovës pasi Qeveria vendosi t’i ndëshkojë pronarët e veturave me targa ilegale. Kjo parti vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e reja. Por kur zyrtarët e zgjedhjeve shkuan në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhje, u përballën me sulme me shok-bomba e armë. Si pasojë, një polic është plagosur.

Të shtunën, Osmani ka mbajtur takim me përfaqësues të partive dhe pas takimit ka njoftuar se një raport i detajuar për gjendjen në veri i është dorëzuar edhe KQZ-së.

“Duke u bazuar në zhvillimet dua të ju njoftoj qe kam pasur kontakte edhe me institucione të BE-së dhe më kanë thënë që nuk do të marrin pjesë për vëzhgim për shkak të kohës së shkurtër. Bazuar në këto vlerësime propozimi ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash. Erdhëm në përfundim të shtyhet për në prill”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Ndërkaq në njoftimin zyrtar të Presidencës bëhet e ditur se zgjedhjet në veri do të mbahen më 23 prill. Sipas njoftimit, për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë të partive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se do ta presë zyrtarisht vendimin e presidentes për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për pezullimin e aktiviteteve përgatitore.

Shtyrjen e zgjedhjeve e kanë kërkuar edhe partnerët ndërkombëtarë.

Nga e enjtja Policia ka rritur praninë në veri. I menjëhershëm ishte reagimi i Serbisë që kërcënoi me dërgim të ushtrisë.