Arbëri

Chollet: Besojmë se bisedimet do të çojnë në njohje reciproke

Derek Chollet
Foto: AP
 

Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në njohje reciproke. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Chollet tha po ashtu se dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është “element kritik” në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Ne duam ta shohim Kosovën të vazhdojë në rrugën drejt integrimit më të madh evropian dhe një nga mesazhet që doli nga takimi shumë i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë, i pari i këtij lloji që mbahet në rajon, ishte një angazhim i ripërtërirë i Bashkimit Evropian për ta çuar më tej këtë integrim. Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar te normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por, ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës”, tha ai.