Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se kryeministri nuk po i dëgjon këshillat e ndërkombëtarëve.
Bërisha i ka thënë kryeministrit Albin Kurti që të mos i rrezikojë policët e zyrtarët me “insistimin” që ta tensionojë situatën.
“Këshillat kryeministër që i ke ndërmarrë prej ndërkombëtarëve nuk po i dëgjon para se të bëhet dëmi por pasi po bëhet. Insistimi për ta tensionuar situatën kjo shkon në favor të Serbisë. Çdo tensionim i mëtutjeshëm ka për qëllim kthimin e rezolutës 1244. Mos i rreziko policët as zyrtarët e KQZ-së”.
Berisha ka thënë se është dashur të tregohet kujdes, ndërsa ka shtruar pyetjen ndaj Kurtit se nëse situate tensionohet më shumë dhe vritet një polic, çfarë do të bëjë ai.
“Unë e di që kryeministri është njëri paqësor e i lapsit. Zgjidhe problemin me dije. A sa i përket shtrirjes së sovranitetit se Serbia po e rrezikojka Kosovën edhe këtë e di. Mos t’ish kanë ky deputeti këtu unë nuk isha frikësuar shumë. Po pasi ky po me tregon se si shtrihet sovraniteti po shqetësohem më shumë për veri. Çka nëse vritet ndonjë polic a keni me dhënë ndonjë shpjegim apo keni me ik krejt”.
Për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ka thënë se duhen arrestime dhe dorëheqje.
“Për rastin Dehari. Nuk mjafton suspendimi i atyre zyrtarëve ata duhet të arrestohen dhe duhet dorëheqje emergjente. Duhet të dihet çka ka ndodhë aty”.
Tahiri: Veriu s’duhet të jetë temë diskutimi në tavolinën e Brukselit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dënuar sulmin ndaj policit mbrëmë në veri.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në deklarimet jashë rendit të ditës në Kuvend, ka thënë se Qeveria duhet të ketë strategji për trajtimin e situatës në atë pjesë të Kosovës.
“Si GP i PDK-së e dënojmë ashpër sulmin ndaj policit të Kosovës që ndodhi mbrëmë. I dëshirojmë shërim të shpejtë. Ky angazhim i policisë ndodhi si rezultat i caktimit të datës së zgjedhjeve. Kemi pasur angazhim të forcave të rendit. Por tashmë edhe kemi konfirmimin zyrtarë të bandave kriminale në veri. Qeveria nuk duhet të ndërmarrë hapa sporadikë. Duhet të ketë strategji për trajtimin e kësaj zone. Përderisa sulmohen policët, institucionet e Kosovës, nuk mund të bëjmë veprime ad-hoc, duhet të kemi strategji për t’i larguar këto banda”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka deklaruar se nevojitet koordinim me SHBA-në, ndërkohë ka theksuar se veriu nuk duhet të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel.
“Jemi të shqetësuar me gjendjen në atë pjesë të territorit të Kosovës. Na duhet koordinim i madh me SHBA. Nuk duhet të lejojmë që kjo pjesë e territorit të jetë në diskutim në tryezën në Bruksel. Kemi punuar shumë të gjithë së bashku që t’i instalojmë institucionet tona në atë pjesë të Kosovës, Serbia gjithmonë e ka kundërshtuar këtë. Qeverisë i bëjmë thirrje të ketë strategji për secilin veprim që do ta ndërmarrë në atë pjesë të vendit”.
VV-ja thërret për bashkim, Abrashi: Nuk duhet të dorëzohet veriu
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës që të jenë bashkë për t’i dënuar sulmet në veri të vendit.
Abrashi, në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancen plenare të Kuvendit, ka thënë se veriu nuk duhet të dorëzohet.
Ai ka shtuar se veprimet e dhunshme po ndodhin pas kërcënimeve të presidentit serb dhe se në veri ekziston ndarja në banda dhe qytetarë.
“Në kohën kur po bëhen përgatitje për zgjedhjet në veri institucionet tona janë përballur me sulme të vazhdueshme. Dje në krye të detyrës është plagosur një polic. Të mërkurën në lagjen e boshnjakëve është raportuar se janë hedhur dy shok bomba. Të gjitha këto akte u bënë pas kërcënimeve të vazhdueshme të presidentit të Serbisë. Në katër komunat në veri nuk është ndarje në serbë dhe shqiptarë por në banda dhe qytetarë. Kriminelëve po ju pengon se ata nuk duan të luftohet krimi e kontrabanda. Por gjërat po ndryshojnë. Kriminelëve po u ngushtohet hapësira, kontrabandistëve po u mbyllen rrugët. Deputetë duhet të jemi të bashkuar për t’i dënuar këto sulme. Nuk duhet të dorëzohet Kosova, nuk duhet të dorëzohet veriu. Kush qëndron fiton. Qëndresa e institucioneve tona tashmë është imperativ i kohës”, ka theksuar ai.