Arbëri

GAP: VV-ja sikur ish-qeveritë po i favorizon komunat e veta

 

Blendi Hasaj nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka deklaruar se është praktikë e keqe shpërndarja joproporcionale e investimeve kapitale nga institucionet qendrore nëpër komuna, duke favorizuar ato komuna që udhëhiqen nga partia e cila udhëheq me nivelin qendror. Ai ka thënë të enjten në Interaktiv të KTV-së se në të kaluarën edhe Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë praktikë, ndërsa tash në qeverisje, sipas Hasajt, po e vazhdon të njëjtin avaz.

“23 milionë euro janë investime direkte të institucioneve qendrore në komuna dhe pjesa më e madhe e koncentruar te tri komuna që janë të udhëhequra nga LVV-ja. Ne kemi bërë vetëm interpretim të fakteve, këto janë marrë nga projektbuxheti 2023. Praktikë e keqe e shpërndarjes joproporcionale tek investimet kapitale nga qendra. Edhe vetë Vetëvendosja nëse sheh programin e saj qeveritar, e ka një pikë ku thuhet ‘prej keqpërdorimit të buxhetit e trajtimit të pabarabartë, do të kalojmë te granti i katërt’. Ideja ka qenë e mirë, të hiqet ky diskrecioni që të investohet në komuna”, ka deklaruar Hasaj që e ka quajtur të pakuptimtë reagimin e Vetëvendosjes pas publikimit të raportit.