Arbëri

Zyrtarët e KQZ-së hezitojnë t’i organizojnë zgjedhjet në veri

Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se komisionet komunale të zgjedhjeve nga komunat veriore kanë theksuar se e kanë të pamundur të veprojnë në objekte që menaxhohen nga strukturat ilegale dhe jo komunat.

Në mbledhjen e KQZ-së të enjten pasdite, Ahmetaj ka thënë se këta zyrtarë kanë deklaruar se në rrethanat aktuale, të tensioneve dhe shpërthimeve të shok-bombave qe disa ditë në veri, nuk do të shkojnë për ta organizuar procesin e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veri. Në deklaratë ata, sipas Ahmetajt, kanë thënë se në pyetje është siguria fizike.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se të gjithë zyrtarët duhet të angazhohen dhe duhet të bëhet një plan i punës.

Ilir Gashi dhe Arianit Elshani nga PDK-ja kanë propozuar që zyrtarët të zëvendësohen e nga organet e rendit të krijohen kushte për qasje në objekte. Edhe ata kanë kërkuar plan më të detajuar.

Ibrahim Selmanaj nga AAK-ja ka kundërshtuar propozimin e PDK-së duke thënë se edhe me zëvendësues rrezikohet mundësia që të mos shkojnë në veri.

Alim Rama i VV-së ka kërkuar të angazhohen të gjithë zyrtarët e lartë komunalë. Ka rekomanduar edhe organizim të lokacioneve alternative.

Kurteshi ka thënë se KQZ-ja e ka obligim të vazhdojë me planin operacional deri sa organet e sigurisë të vlerësojnë se është e pamundur të mbahen zgjedhjet.

“Nuk mundet me mbete peng vetëm situata e krijuar, frika jonë... E kemi obligim t’i organizojmë zgjedhjet, deri të na thonë se jo nuk ka mundësi”, ka deklaruar Kurteshi.

Deri tash KQZ-ja nuk ka pranuar asnjë aplikim për akreditim të vëzhguesve, prej subjekteve politike, organizatave joqeveritare vendore a ndërkombëtare dhe mediave.

Në katër komunat e veriut është caktuar data 18 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë, pas dorëheqjeve të fillim nëntorit nga zyrtarët serbë, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë për ndëshkim të pronarëve të veturave me targa ilegale.

Gjatë përpjekjeve për të shkuar në qendrat e zgjedhjeve në këto komuna, zyrtarët e KQZ-së janë përballur me sulme në dy ditët e fundit.

Nga partnerët ndërkombëtarë është thënë që s’është koha për organizim zgjedhjesh tani. Një vendim për shtyrje potenciale “është çështje ditësh”, ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani. Presidentja ka thënë se do të vendosë për një gjë të tillë tek pas marrjes së raportit të sigurisë nga institucionet përgjegjëse.