33 shkolla kanë refuzuar mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri më 21 prill, ndërsa 10 të tjera janë të qasshme, ka konfirmuar të mërkurën Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në mbledhjen e KQZ-së është thënë se pas dorëheqjes së anëtarëve serbë të KKZ-ve ka qenë e vështirë komunikimi me drejtorët e shkollave në veri.
Më 15 prill, siç ka thënë Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, është kërkuar një takim me kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave në veri, por ka dështuar. Drejtorët e shkollave nuk erdhën në takim, ka thënë kryetari i KQZ-së.
“Drejtorët e shkollave kanë refuzuar t’i japin qasje KKZ-ve në shkolla me pretendimet se në këto shkolla tashmë janë organizuar aktivitete”, ka thënë Ahmetaj.
Në Leposaviq tre shkolla janë të qasshme ndërsa 15 kanë refuzuar. Në Zubin-Potok, dy janë të qasshme dhe 10 kanë refuzuar. Në Zveçan, dy të qasshme dhe katër kanë refuzuar. Në Mitrovicë të Veriut, tre të qasshme dhe katër kanë refuzuar.
Ahmetaj ka thënë se po punohet në mënyrë intensive për të gjetur lokacione alternative.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se është detyrim i institucioneve të Kosovës që t’i hapin shkollat për votime.
“KQZ-ja në bashkëpunim me komunat e ka për obligim që ta njoftojë Prokurorinë dhe në bazë të detyrës zyrtare të ngre aktakuzë dhe të ndjekë penalisht çdo person që e pengon në çfarëdo mënyre procesin. Nuk duhet të heshtim. Kjo është lojë e rrezikshme. Ato janë objekte të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se veprimi i serbëve është bojkot i procesit zgjedhor dhe duhet ndjekur penalisht.
Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot të votimit për shkarkimin e kryetarëve, ndonëse pati përkrahur peticionin që i ka hapur rrugë procesit.