Arbëri

Ramaj për Fondin për Trajtim Jashtë Vendit: Ne i kemi skanuar dështimet, topi është te Qeveria

Saranda Ramaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka zgjedhur gazetaren më të mirë të vitit 2022 në Kosovë të mërkurën. Dhe gazetarja e vitit është zgjedhur Saranda Ramaj e Grupit KOHA.

Ramaj është autore e hulumtimit që zbardhi keqpërdorimet e miliona eurove të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë. Hulumtimi është titulluar “Abuzimet me Fondin për Trajtim Jashtë Vendit”.

Lidhur me këtë hulumtim, Ramaj ka folur në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ajo ka thënë se e kishte menduar shumë gjatë Fondin dhe problemet që mund të fshiheshin prapa tij.

Ramaj ka thënë se ka qenë një ndër hulumtimet më të rënda prej disa hulumtimeve që ajo është autore.

“Fakti që ai institucion është mbajtur për aq gjatë dhe i mbyllur për aq shumë vite pa të dhëna dhe pa ndonjë publikim të mirëfilltë e fare transparencë, ka qenë dyshimi i parë se pse duhet një institucion të mbyllet plotësisht nëse nuk ka asgjë të fshehë. Dyshimet e mija kanë qenë për faktin që janë mbyllur. Jam e lumtur që Fondi ka ndryshuar prej që ne e kemi publikuar hulumtimin. Tash duhet të flasin institucionet, nëse ato nuk flasin KOHA do të flasë përsëri. Për Fondin duhet të flasë Qeveria pasi topi është tek ata, ne e kemi skanuar secilën hallkë që dështon në lidhje me Fondin”, ka thënë ajo.

Por, Ramaj ka tërhequr vëmendjen se nuk përfundon gjithçka me këtë hulumtim, por se rasti mbi Fondin duhet të ndiqet si po trajtohet nga prokurorët dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Duhet të kemi kujdes se si prokurorët po e ndjekin rastin pasi në Kosovë shumë herë prokurorët nuk janë të specializuar as në çështje të prokurorimit, as të shëndetësisë, as të subvencioneve. Nuk mjafton vetëm një hulumtim, por përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, ka thënë Ramaj.