Arbëri

Bajrami: E denoncova vjedhjen e 2.1 milionshit, mjetet të kthehen sa më parë në buxhet

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar me 21 vjet burgim, dy të dyshuarit për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari.

Bajrami e cila ka qenë ministre në kohën kur ka ndodhur vjedhja, ka thënë se ajo e ka denoncuar këtë vjedhje.

“E denoncova vjedhjen e 2.1 milionëshit dhe sot ka vendim të Gjykatës. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. Vendimi i sotshëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkëpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelën pa u ndëshkuar”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka thënë se mjetet e vjedhura duhet të kthehen në buxhetin e shtetit.

“Unë besoj shumë se organet e drejtësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bashkërendojnë aktivitetet, që mjetet e vjedhura të kthehen sa më parë në buxhetin e shtetit. Hajnat e kanë vendin në burg. Secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denoncohet dhe hajnat duhet të marrin dënime kapitale”, ka shkruar Bajrami.