Arbëri

Haxhiu për shtatzënën e vrarë: Ministria i ka kryer detyrat, problemi tek institucionet e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucioni që ajo e udhëheq ka kryer të gjitha detyrat për mbrojtjen e grave ndaj dhunës, por se problemi qëndron te sistemi i drejtësisë, që sipas saj nuk është duke funksionuar.

Haxhiu ka përsëritur se posa t’i mbledhin raportet nga institucione lidhur me vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare, para Gjinekologjisë në Prishtinë, do të ketë largime dhe dorëheqje të zyrtarëve përgjegjës.

“Duke pasur parasysh informacionet e para që I kemi, ka dështim zinxhiror dhe për këtë siç ju kam thënë edhe dje, në momentin që do të pranojmë raportin e institucioneve, qoftë nga policia, qoftë nga inspektorati shëndetësor, do të ketë dorëheqje e largime”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo këto komete i ka bërë pas takimit në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku është lansuar Kurrikula për Programet e Trajtimit të Dhunës.