Arbëri

Haxhiu bën thirrje për raportim të hershëm të dhunës në familje

Raportimin e rasteve të dhunës në familje e kanë kërkuar të shtunën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Në kuadër të 16-ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje, Haxhiu ka fajësuar organet e drejtësisë se nuk po veprojnë me kohë për t’i parandaluar rastet me fatalitet, duke përmendur atë të 35-vjeçares së vrarë të mërkurën. Haxhiu ka bërë të ditur se me reformat që janë duke u bërë në drejtësi, do të penalizohet secili që nuk e kryen punët për çka është përgjegjës

Raportimin e rasteve të dhunës në familje e ka kërkuar të shtunën nga gratë e Komunës së Podujevës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në takimin me gra e vajza të kësaj komune, në kuadër të fushatës “16-ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje”, Haxhiu është zotuar se nëpërmjet reformës në drejtësi po e synon kthimin e besimit të qytetarëve në këto institucione.

Kritike ndaj tyre është shprehur teksa ka folur mbi vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.

“Reformat që i ka nisur Ministria e Drejtësisë, që lidhen drejtpërdrejt edhe me jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, tashmë e kemi përfunduar. E kemi dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe po presim shumë shpejt që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta mbështesë që ato të hyjnë në funksion, në mënyrë që Kosova të mos ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i mbrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por që iu dalin në ndihmë atyre, pra që i mbrojnë ata. Sepse situatat e tilla po na dëshmojnë e po na tregojnë se këta nuk e kanë fare mendjen te qytetarët e Republikës, por vetëm te pagat e veta”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se rreth vrasjes së 35-vjeçares në Prishtinë është kërkuar inspektim në raport me punën e stafit të mjekëve, të Policisë dhe të veprimeve të Qendrës për Punë Sociale, për të kuptuar se cila prej këtyre instancave nuk e ka kryer detyrën si duhet.

E gjatë diskutimeve, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar nga gratë që të mos i mbajnë fshehur rastet e dhunës.

“Dhuna në familje fatkeqësisht është në rritje dhe sigurisht që indikatorët që kanë kushtëzua në këtë rritje të kësaj dhune, në veçanti e këto viteve të fundit janë prej më të ndryshmeve dhe unë besoj që institucionet duhet të merren më tepër me to dhe t’i analizojnë për të nxjerrë se cilët janë indikatorët kryesorë të cilët po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje”, ka thënë ai.

Bulliqi ka bërë të ditur me këtë rast se Komuna ka marrëveshje me disa organizata për participim financiar në strehimin e grave që përjetojë dhunë në familje. Ai ndërkaq u ka kërkuar institucioneve qendrore që për trajtimin e rasteve ta mundësojnë angazhimin e psikologëve dhe sociologëve.