Arbëri

Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat zotohet për mosvonesa në proces

Descriptive Text

Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, është emëruar si raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai tani do t’i fillojë negociatat me Presidencën Çeke të Bashkimit Evropian, në emër të Këshillit pas miratimit të vendimit nga ambasadorët e vendeve të bllokut. Reuten, para deputetëve ka shprehur pakënaqësinë për ndërlidhjen e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Ndërkaq ka theksuar se Parlamenti s’do të bëhet shkaktar për vonesat e reja në procesin e liberalizimit

Parlamenti Evropian dëshiron që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet sa më shpejt, ndonëse nuk është tërësisht i kënaqur me faktin që vendet anëtare të BE-së e kanë lidhur hyrjen në fuqi të liberalizimit me funksionalizimin e sistemit të ETIAS-it, ka thënë deputeti holandez në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, që është emëruar raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Ai tash në emër të Parlamentit Evropian do të hyjë në negociata me Presidencën Çeke në emër të Këshillit pasi që është miratuar vendimi nga ambasadorët e Bashkimit Evropian.

Ka thënë se liberalizimi i vizave është dashur të kishte ndodhur para shumë kohësh sepse Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave para katër vjetësh, e menjëherë pas kësaj edhe Parlamenti Evropian kishte miratuar të njëjtin qëndrim.

“Na vjen mirë që Këshilli më në fund është pajtuar për t’i dhënë Kosovës mundësinë e lëvizjes pa viza. Por fakti se vendet anëtare kanë vendosur ta lidhin këtë me nisjen e sistemit të ETIAS-it, ose ta shtyjnë vendimin për hyrjen në fuqi deri më 1 janar të vitit 2024, definitivsht nuk është ajo që ne kemi pritur”, ka thënë ai.

Por ai ka thënë se Parlamenti Evropian në asnjë mënyrë s’do të bëhet shkaktar për të krijuar vonesa të reja në këtë proces.

“Ne mund të përdorim qëndrimin e miratuar nga Parlamenti Evropian në vitin 2019 dhe unë mund t’ju siguroj se në asnjë rrethanë, Parlamenti Evropian nuk do të shkaktojë asnjë vonesë të re”, ka thënë ai.

Sipas interpretimit të tij, nuk ka nevojë për vendim të ri në Parlament për të dhënë mandatin për negociata, pasi mund të shfrytëzohet qëndrimi që Parlamenti e kishte miratuar më 2019, ndërsa pasi të përmbyllen negociatat mes Parlamentit dhe Këshillit do të duhej të votohej së pari në një komitet të Parlamentit Evropian e pastaj në seancë plenare për të kthyer sërish në Këshill ku do të finalizohej procesi i liberalizimit të vizave.