Arbëri

Abdixhiku: Koha e reagimit ka kaluar, Kurti t’i mbajë përgjegjës njerëzit e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se koha e reagimit për vrasjen e 35-vjeçarit ka kaluar dhe, sipas tij, tani kryeministri Albin Kurti duhet t'i mbajë përgjegjës njerëzit e tij.

Abdixhiku ka shkruar të enjten në Facebook se fillimisht, për rastin duhet të ketë dorëheqje dhe shkarkime, e më pas luftim të dukurisë së dhunës ndaj gruas.

“Kryeministrit të vendit iu deshën njëzet e katër orë - dhe gjithë presioni publik mbi reagimet skandaloze të tij - për të kuptuar se për çfarë është aty. Njëzet e katër orë për të thirrur në përgjegjësi gjithë zinxhirin përgjegjës. Koha për të reaguar ka kaluar. Tani t’i mbajë përgjegjës secilin, dhe njerëzit e tij”, tha kryetari i LDK-së.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se cili është zinxhiri i përgjegjësisë që duhet të japë dorëheqje për vrasjen e shtatzënës.

Ajo ka shkruar në Facebook të enjten se Kosova aktualisht nuk ka ministër të Shëndetësisë, kryeprokuror dhe drejtor të Policisë.