Bislimi: Kosova do të aplikojë për status kandidati në BE në mesin e dhjetorit

Bislimi: Kosova do të aplikojë për status kandidati në BE në mesin e dhjetorit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian diku nga mesi i dhjetorit.
Bislimi ka thënë se aplikimi do të bëhet në koordinim me Presidencën Çeke.
Bislimi ndërkohë ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se kjo çështje asnjëherë nuk është ndërlidhur me dialogun Kosovë – Serbi. Dhe se shtyrja e vendimit për një javë, ishte për të mirë të Kosovës, pasi vendet skeptike mund ta shfrytëzonin çështjen e targave për të hezituar votimin.
“Arsyeja pse ishte larguar nga rendi i ditës javën e kaluar, ishte se ndonjë vend skeptik mund ta përdorte situatën me targa. Vendimi i Këshillit ishte për qëllim të mirë e jo qëllim kushtëzimi. Pse liberalizimi po ndodh tash e jo më herët, varet nga aftësia e Qeverisë për të luftuar krimin e korrupsionin. Aplikimi bër status kandidati, kemi thënë nga dhjetori i vitit të kaluar se do të aplikojmë sivjet. Është gabim të thuhet nëse është momenti i duhur, pasi nëse presim momentin e duhur, BE-ja nuk jep përgjigje. Kemi një ekip prej 4 ekspertëve që po rrinë e po bisedojnë në Bruksel me secilat shtete anëtare. Po ashtu jemi në koordinim të ngushtë me Presidencën Çeke për datën. Kemi datë, por jemi duke u koordinuar, pritet nga mesi i dhjetorit. E di se do të ketë vende hezituese, por nuk e zhvlerëson aplikimin kjo. Do të jetë aplikimi në sirtar të BE-së nuk ka rrezik të ketë efekte negative, por do të ketë vetëm efekte pozitive”, ka thënë Bislimi në Komision për Integrime Evropiane.
Bislimi për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve: E zhbëmë një gabim
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komision për Integrime Evropiane është pyetur edhe për ulje të pagave të prokurorëve e gjyqtarëve. Ai ka thënë se është zhbërë një gabim që ishte bërë nga qeveritë e kaluara.
“Nëse vendimi i qeverisë për të ulur pagat e prokurorëve e gjyqtarëve është arbitrar, i tillë ishte edhe vendimi i qeverisë së mëhershme për t’i rritur pagat. Kemi zhbërë një gabim. Mendoj se secili gjyqtar e prokuror në kontratë ka objektivat që nuk ndërlidhen me pagë, por me vëllim të punës. Gjithë prokurorët e gjyqtarët kanë pasur paga më të mëdha sesa kryeministri, që është një paradoks ku s’ndodh në asnjë vend të botës. Ka qenë e pakuptimtë që gjyqësori e prokuroria që thirren në vendosje të drejtësisë, s’ka reaguar për rritje të pagave me një vendim arbitrar nga një kryeministër i pandërgjegjshëm”, ka thënë Bislimi.
Ai ka pasur edhe një polemikë me deputeten e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, të cilës i ka thënë se nuk e di se ku e ka atë zell për konfrontim të vazhdueshëm e bërë gjitha ato pyetje.
E Deliu i tha se zelli e përkushtimi i vjen nga mandati që ka marrë nga qytetarët. Ajo tha se zëvendëskryeministri vazhdimisht gjen kohë të etiketojë deputetët. Pas fjalimit Deliu u largua nga Komisioni.
Deliu-Kodra e akuzon Bislimin se i ka shkaktuar dëme Kosovës, ai i kundërpërgjigjet
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, se i janë shkaktuar Kosovës dëme të mëdha me qasjen në dialog.
Ajo ka thënë se është një “terr informativ” sa i përket marrëveshjes për targat.
“Konsideroj se i keni shkaktuar dëme Kosovës. Keni shkaktuar situatë, ku s’kemi funksion të institucioneve në veri të vendit. Kemi zero funksionim. Përtej faktit se kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, kemi zero funksionim tash në atë pjesë. Gjithë këtë e keni bërë brenda një viti, me veprimet tuaja të pamatura. Nuk është dëm i vogël. Kemi dhënë mbështetjen si opozitë për të shtrirë sovranitetin në veri, por duhet të flasim hapur, veriu nuk është i njëjti si para tri vjetëve. Nuk ka funksionim të institucioneve”, ka thënë Deliu-Kodra në Komision për Integrim Evropian.
Ajo po ashtu ka kërkuar nga Bislimi që t’i njohë meritat e opozitës, që ka votuar ligjet e po ashtu marrëveshjet ndërkombëtare.
E Bislimi i është kundërpërgjigjur.
“Zonja Deliu përdori tri fjalë, që i përsërit vazhdimisht. Dështime në dialog, veprime të pamatura, veprime fëmijërore. Sikur ju të kishit çerekun e informacioneve që unë i kam se si është prezantuar Kosova deri në vitin 2021 në dialog, e si përfaqësohet tash, do të turpëroheshit të vinit në këtë seancë. Vetëm çerekun e informacioneve. Por, nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri. Në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimi i dinarit, zgjedhjet e Serbisë në veri, mospagesa e rrymës, mospagesa e tatimit, mospagesa e ujit, targat e Millosheviqit, gjitha ‘të arriturat’ ju numëroj e flas për ‘shkatërrimin’ që u kemi bërë ‘sukseseve tuaja’. Duhet të jetë seancë tjetër, ku krahas ‘të arriturave tuaja ju tregoj shkatërrimet tona’”, ka thënë Bislimi.
Ai ka folur edhe për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, që ka thënë se historikisht është më i miri për Kosovën.
E Deliu-Kodra sërish ka insistuar se veriu më nuk është i njëjti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Kurti takon Ferdonije Qerkezin: Dhimbja e mbajti të fuqishme

Abazoviqi propozon që rundi i ardhshëm i bisedimeve Kosovë-Serbi të mbahet në Mal të Zi

Kurti: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën kriminale

BE-ja shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk shfrytëzoi të drejtën për pjesëmarrje në zgjedhje

Aksion ndaj autobusëve të Podujevës e Lipjanit, paralajmërohen gjoba e sekuestrime

Presidentja e Greqisë: Qëndrimi për Kosovën mbetet i njëjtë

Gërvalla: Serbia duhet të jetë serioze, por s’jam optimiste për ndryshim

ATK-ja anulon disa vërtetime tatimore të nxjerra online

Shqetësues qarkullimi i veturave pa regjistrim e pa sigurim në Kosovë

Mot i vranët sot në Kosovë

Mësimdhënësit do të testohen me shkrim për pagë më të lartë
