Arbëri

Osmani shkon për vizitë dyditore në Bullgari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë dyditore zyrtare në Bullgari, me ftesë të homolgut të saj, Rumen Radev.

Ata do të zhvillojnë takim bilateral e më pas parashihet që të ketë edhe konferencë të përbashkët për media, njoftoi Presidenca.

Delegacioni i kryesuar nga Osmani do të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare presidenciale të shtruar nga presidenti Radev.

Ndërkohë, ajo pritet të zhvillojë edhe vizita të tjerë në Bullgari, ku pritet të takojë kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Pastaj, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, Osmanit do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes.

Osmani do t’ia ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake Forcave të Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë.

Departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të Universitetit “Shën Kliment Ohridski”, Osmani do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.

Gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet, thuhet krejt në fund të njoftimit për vizitën e presidentes.