Arbëri

Deputeti Shala-Mujës: Po gënjen dhe manipulon për të arriturat në “Trepçë”

Gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me ndarjet buxhetore për vitin 2023, për institucionet që janë në fushëveprim të kësaj ministrie, në Komisionin për Ekonomi, deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, ka folur për të arriturat në ndërmarrjen publike “Trepça” në vitin e fundit. Sipas tij këto të arritura kanë ndodhur pas dhjetë vjetëve.

Ndaj këtyre deklaratave të deputetit Muja, ka reaguar kryetari i Komisionit, Ferat Shala, i cili e quajti gënjeshtar dhe manipulues deputetin Muja.

“Po gënjen dhe mos manipuloni për arritjet në Trepçë. Po bëni politikë, sepse ne nuk po flasim sot për performancën e ndërmarrjeve publike”, ka theksuar Shala, ndërsa për këtë nuk pati reagim nga deputeti Muja.

Deputet Shala, ka kritikuar ministren për rritjen e buxhetit për mallra dhe shërbime, e në anën tjetër sipas tij ka shkurtim të buxhetit për shërbimin gjeologjik, departamentin e minierave, për trupat inspektuese, për efiçiencë të energjisë dhe mos rritje të buxhetit për “Trepçën”.

Shala ka theksuar se shuma prej 3 milionë eurove është e pamjaftueshme për “Trepçën”. Ai ka propozuar që për këtë ndërmarrje publike të ndahen 10 milionë euro.

Ministrja Rizvanolli ka arsyetuar rritjen e buxhetit për shërbime dhe mallra, ndërsa për “Trepçën” ka theksuar se është në rrugë të mirë dhe mbështetja qeveritare për të nuk do të mungojë.

Ajo ka thënë se për herë të parë me planifikimet buxhetore, janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë mbi 20 milionë euro.

Sa i përket shumës së mjeteve për projektet e sektorit të ujërave, deputeti nga AAK-ja Pal Lekaj, ka thënë se këto mjete janë të pamjaftueshme.

Rizvanolli ka kërkuar që të bëhet një amendament në Ligjin për buxhetin e vitit 2023 për efiçiencë të energjisë në vlerë 5.26 milionë euro, pasi sipas saj, mjetet buxhetore ekzistojnë nga kontigjenca e Ministrisë së Financave. / ksp