I përkasin një kombi, por kur vjen puna te shkëmbimet tregtare, Kosova dhe Shqipëria kanë partnerë të tjerë. Edhe pse ka rritje të importeve dhe eksporteve mes dy vendeve, ai mbetet prapa bashkëpunimit që kanë dy shtetet me vendet e tjera të rajonit.
Sipas të dhënave të Doganës, për 10 muaj Kosova ka importuar rreth 190 milionë euro mallra nga Shqipëria, ndërsa ka eksportuar vetëm 61 milionë euro. Shqipëria është eksportuese më e vogël sesa Serbia në Kosovë.
Hendeku mes eksporteve dhe importeve nga Shqipëria, sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, është edhe shkaku i bazës prodhuese që ka Kosova dhe barrierave që kanë bizneset kosovare për të depërtuar në tregun e Shqipërisë.
“Duke marrë parasysh raportet politike, kulturore, historike dhe të gjitha ato që synojmë të ruajmë si vlera të përbashkëta, del se ky bilanc tregtar është i pamjaftueshëm për këto dy vende që kanë këto lloj raportesh dhe si raporte të tilla duke marrë parasysh edhe infrastrukturën dhe afërsinë gjeografike do të duhej që të rezultonin me një bilanc më të madh tregtar”, tha Rukiqi.
Edhe pse është shënuar progres në realizimin e marrëveshjeve Kosovë - Shqipëri, ende shfaqen pengesa për bizneset.
Sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, nga viti 2010 deri në 2021 rreth 15 për qind e mallrave të Kosovës kanë pasur destinacion Shqipërinë, ndërsa importet që vijnë nga Shqipëria janë rreth 7 për qind.
“Arsye kryesore e kësaj është niveli i zhvillimit industrial të të dyja vendeve, për shkak se nëse këto vende nuk mund të prodhojnë, edhe qarkullimi tregtar mund të jetë më i vogël. Një arsye tjetër që e kemi parë në vazhdimësi janë barrierat jotarifore mes të dy vendeve që e kanë zvogëluar potencialin e qarkullimit tregtar”, tha Jakurti.
Viteve të fundit, sipas tij, ka pasur një përmirësim sa i përket largimit të barrierave jotarifore, duke përmendur pikën e përbashkët doganore.
Deri në fund të vitit pritet që të përfundojë studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, linjë kjo që do të lidhë Portin e ri tregtar në Durrës me Portin e Thatë në Prishtinë.
Ky projekt, sipas ekonomistëve, do të krijojë lehtësira tregtare për të dyja vendet, jo vetëm për bashkëpunim tregtar, por do ta bëjë më të lehtë qarkullimin e mallrave edhe nga vendet e tjera, duke ia mundësuar Kosovës daljen në det.