Arbëri

PSD-ja hedh qershi para Qeverisë: Kryeministri hëngri fjalët e tij

Partia Socialdemokrate ka hedhur qershi para objektit të Qeverisë së Kosovës të enjten, në shenjë proteste për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për çështjen e targave. Kjo parti po e akuzon kryeministrin Albin Kurti se i ka “ngrënë fjalët e tij”.

Kosova dhe Serbia u pajtuan të mërkurën në mbrëmje në Bruksel që Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës e që Kosova të mos i gjobisë pronarët e veturave me targa ilegale. Në deklaratën e Bashkimit Evropian është përmendur që duhet të ketë fokus “urgjent” në çështjen e normalizimit të raporteve, por nuk është përmendur ndonjë datë, siç e përmendte Kurti muajin mars, të hënën kur dështoi arritja e marrëveshjes.

PSD-ja ka thënë se prapa marrëveshjes për targa fshihet “pranimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në deklaratën e BE-së është thënë se palët po ashtu duhet t’i implementojnë marrëveshjet e mëhershme.

“Kryeministri po i përdorë diskutimet me qytetarë si platformë për t’i ikur temës kryesore, koncesionit. Ai është i interesuar që tema e mbrëmshme të harrohet sa më shpejt, sepse prapa pranimit të djeshëm për çështjen minore, si puna e targave, fshihej çështja madhore, pranimi i Asociacionit. Ato data e afate ishin për ta ushqyer imazhin prej rezistenti, i cili i dështoi. Kryeministri i hëngri fjalët e tij. Secilën. Bash sikur fabula me qershi. E dëmin po e hajnë qytetarët e vendit, pa dallim. z. Kryeministër, qershizat janë veç për juve”, thuhet në reagimin e PSD-së për protestën e së enjtes.

Image