Koordinatori i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, në një konferencë për medie të enjten ka thënë se me vendimin për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve, Qeveria i dha goditjen më të rëndë sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vetmja në botë që në kohë të inflacionit i zvogëlon pagat. Kjo, sipas tij, do të ndikojë në ikjen e prokurorëve e gjyqtarëve nga sistemi si dhe ngadalësimin e trajtimit të rasteve.
“LDK-ja e kundërshton uljen e pagave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Qeveria i dha goditje sistemi të drejtësisë, në momenti kur ishim në pritje të rritjes së pagave. Kjo është Qeveria e vetme në botë që në kohë të inflacionit i ul pagat, kjo është një nga goditjet më të rënda. Vendimi skandaloz cenon punën edhe ashtu të cenuar. Ulja e pagave nënkupton ikjen nga sistemi i drejtësisë, nënkupton ngadalësimin e trajtimit të rasteve”, ka thënë Manaj, raporton EO.
Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish.
Me vendim të Haradinajt ishte dyfishuar paga e tij dhe ishte rritur e zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë. Vendimi automatikisht prekte pagat në drejtësi. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në departament të përgjithshëm ishte bërë 1700 euro neto nga mbi 900 sa ishte deri më 2017. Te zyrtarët e lartë në drejtësi, ulja e pagës kap vlera edhe më të larta. Krerët e gjykatave dhe prokurorive themelore, zyrtarët në Kryeprokurorinë e Shtetit, ata në departamente të krimeve të rënda, përjetojnë zbritje edhe më të madhe se një mijë euro.
Qeveria Kurti në shkurt të 2020-s pati vendosur ta ndryshonte vendimin e Haradinajt duke ulur pagat për zyrtarët qeveritarë, por duke mos i prekur ato në drejtësi. Të mërkurën vendosi për t’i kthyer ato siç ishin, në vendimin që i parapriu miratimit të Ligjit për Paga.