Arbëri

Von Cramon: Vizat me dialogun të mbeten çështje të ndara

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur të papranueshme heqjen e çështjes së liberalizimit të vizave nga rendi i ditës i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Von Cramon është shprehur se vizat janë vonuar shumë dhe ky proces duhet të përfundojë pa kushte.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar shumë dhe duhet të arrihet pa kushte, me ç’rast heqja e tij sot nga agjenda e Këshillit të BE-së është absolutisht e papranueshme”, ka shkruar ajo në Twitter.

Von Cramon ka theksuar se vizat dhe dialogut duhet të mbeten dhe të trajtohen si çështje të ndara.

“Liberalizimi i vizave dhe dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të mbeten çështje të ndara”.

Përmes një deklarate ka thënë se ende qytetarët e Kosovës qëndrojnë në radhë për viza, edhe pse ato u janë dhënë Nikaraguas dhe Venezuelës.

“Kosova është vërtet një vend ku shumica dërrmuese e qytetarëve të saj duan të jenë pjesë e BE-së dhe ne duhet të realizojmë atë çfarë kemi premtuar kohë më parë në mënyrë që të rikthejmë një pjesë të kredibilitetit të BE-së dhe të dëshmojmë se fjalët dhe deklaratat tona nuk janë vetëm premtime boshe”.

Në deklaratën e nënshkruar edhe nga eurodeputetë të tjerë thuhet se zgjidhja e krizës aktuale në veri do ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe atë për vizat.

“Ne besojmë fuqishëm se vendi i Kosovës është në BE dhe shpresojmë se hapi i parë në atë drejtim do të jetë konfirmimi i menjëhershëm i pakushtëzuar i liberalizimit të vizave. Zgjidhja paqësore e krizës aktuale në veri të Kosovës do ta mbështesë më tej këtë rrugë”.