Arbëri

Çitaku: Me Kurtin s’pajtohemi pothuajse për asgjë, por në raport me Serbinë nuk duam që të dështojë

Nenkryetarja e PDK-se, Vlora Citaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se ndonëse partia e saj nuk pajtohet asgjë me kryeministrin Albin Kurti, në raport me Serbinë, nuk do që ai të dështojë.

Derisa ka përmendur modelet e kaluara të opozitës, ajo ka thënë se kur bëhet fjalë për fuqizimin e Kosovës, të gjithë duhet të synojnë konsensusin.

“Kosova është atdheu ynë i përbashkët. E Kosova sot po kalon ditët më të rënda që nga shpallja e pavarësisë. Me Albin Kurtin nuk pajtohemi pothuajse për asgjë. Madje nuk pajtohemi as me menaxhimin e situatës këto ditët e fundit. Megjithatë, për ne, si parti politike shtetndërtuese, Kosova vjen para kalkulimeve të ngushta elektorale. Në raport me Serbinë, ne nuk duam që Kryeministri i Kosovës të dështojë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Çitaku ka shtuar se përveç komunikimit të nevojshëm midis Qeverisë dhe opozitës, nevojitet edhe koordinimi me aleatët ndërkombëtarë.

“Pa aleatë e pa miq është e vështirë”, ka shtuar ajo.