Arbëri

Serbët braktisin institucionet, paralajmërojnë protestën në veri

Me vënie kushtesh për autoritetet e Kosovës, serbët që kanë punuar në institucionet e vendit të shtunën kanë dhënë dorëheqje. Gjatë dorëzimit të detyrës kryetari i Listës Serbe, njëherësh ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, paralajmëroi se vendimi do të vlejë derisa Kosova të mos zmbrapset nga qëndrimi për konvertimin e targave dhe ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Largimi i serbëve nga institucionet ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje të mos bien pre e manipulimeve, presidentja Osmani largimin e ka quajtur synim për destabilizim e opozita ka kritikuar ekzekutivin vendor. Serbët kanë paralajmëruar edhe një protestë në qendër të Mitrovicës së Veriut

Përfaqësuesit serbë në institucionet qendrore e lokale të Kosovës kanë braktisur postet e tyre. Nisur nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, shefi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, deputetët e tjerë serbë, kryetarët e komunave me shumicë serbe, e zyrtarët e tjerë administrativë e të organeve të rendit, kanë dhënë dorëheqje të shtunën.

Vendimi është kumtuar nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit të mbajtur me përfaqësuesit serbë të të gjitha institucioneve.

Përfaqësuesve politikë iu bashkuan edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës. Largimin nga shërbimi policor ata e demonstruan me zhveshjen e uniformave.

Në numërimin e arsyetimeve për vendimin e marrë në shenjë pakënaqësie për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në Veri, Nenad Gjuriq, Rakiqi e fajësoi Kosovën për shkeljen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Prishtina vazhdimisht po e rrënon të drejtën tonë ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Brukselit dhe ne serbët nga veriu i Kosovës i bëjmë thirrje Prishtinës që t’i kthehet respektimit të së drejtës sonë ndërkombëtare, të marrëveshjes së Brukselit dhe të të gjitha akteve të tjera që janë marrë në kuadër të dialogut midis Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar Rakiq.

Ai ka thënë se vendimi për tërheqje do të vlejë derisa Kosova të mos zmbrapset nga qëndrimi për targat dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Këto vendime për largim dhe suspendim nga institucionet mbesin në fuqi krejt deri në momentin kur Prishtina nuk nis që ta respektojë të drejtën tonë ndërkombëtare dhe marrëveshjet në Bruksel. Kjo në mënyrë konkrete do të thotë derisa nuk i tërheq vendimet e njëanshme dhe të jashtëligjshme për regjistrimin e targave; derisa të mos e formojë Asociacionin në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha të tjerat”, ka thënë Rakiq, para përfaqësuesve në një sallë në katin më të lartë të objektit të Komunës së Zveçanit.

Image
Përfaqësuesve politikë iu bashkuan edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës. Largimin nga shërbimi policor ata e demonstruan me zhveshjen e uniformave

Kryeministri Kurti: “Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”

Pak orë pas dorëheqjes së ministrit, deputetëve, kryetarëve të komunave me shumicë serbe e përfaqësuesve të tjerë në institucionet e drejtësisë, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje që të largohen nga institucionet e Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka vlerësuar se ata kanë rënë pre e presionit nga Beogradi. “I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej, duke i respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhjeje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës”.

“Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’u përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, ka shkruar Kurti.

Presidentja Osmani: Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit, synim për destabilizimin e veriut të vendit

Vendimin e serbëve për largim nga institucionet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tërheqje të Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës. Në një deklaratë të shtunën pasdite, Osmani ka thënë se veprimet e asaj dite “kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit”. Kryetarja e shtetit pretendon se veprimin për tërheqje nga institucionet e kanë marrë duke qenë nën presion nga pushteti në Serbi.

“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serbë në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, ka thënë Osmani, derisa ka shtuar se institucionet e vendit do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme “për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Opozita kërkon reagimin e kryeministrit, fajëson për politika populiste

Reagim nga kryeministri për situatën e krijuar kanë kërkuar partitë opozitare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se zhvillimet në veri përbëjnë cenim të sovranitetit juridik, shtetëror e të rendit publik.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i Qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje. Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’iu drejtohet qytetarëve për t'i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndërmarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar Krasniqi, në llogarinë e tij në Facebook.

E nga Lidhja Demokratike fajin për situatën në veri ua adresuan udhëheqësve të institucioneve.

“Politikat populiste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjata dhe regres në arenën ndërkombëtare. LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi; ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-në dhe aleatët e tjerë evropianë. Moskoordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë nga institucionet e Republikës së Kosovës i nxit dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës. Pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi kryeministrin Kurti për, siç tha, reflektim në ndërprerjen e shkatërrimit të shtetit.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara. Kosova është shtet i të gjithëve e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse. Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërpresë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërpresim ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, ka shkruar Haradinaj.

“Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare”

Përfaqësuesit e serbëve për të dielën në mesditë paralajmëruan protestë. Në një njoftim nga organizatorja e protestës, Lista Serbe, bëhet e ditur se ajo do të nisë nga ora 12:00 para përmendores së Car Lazarit, në Mitrovicën e Veriut. E të shtunën sheshi ku do të zhvillohet protesta, sikurse edhe i gjithë qyteti i Mitrovicës së Veriut, është mbushur me flamuj të Serbisë dhe në qendër të tyre është vendosur ai i Federatës Ruse.

“Do t’i themi Evropës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare”, është thirrja e Listës Serbe.

Në krah të serbëve në veri të Kosovës dolën udhëheqësit institucionalë nga Serbia.

Kryeministrja Ana Bërnabiq ka thënë se ata duan vetëm mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. “Qeveria e Serbisë mbetet e vendosur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe qëndron pranë popullit tonë të guximshëm dhe dinjitoz në Kosovë, i cili dëshiron vetëm zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara”, citohet të ketë thënë kryeministrja Bërnabiq.

E drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se me vendimin e marrë serbët refuzuan “politikën bandite të Albin Kurtit”.

Vendimi i përfaqësuesve të serbëve në institucionet e Kosovës erdhi pas vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti deklaroi se nuk do të zbatojë vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat ilegale.

Në fillim të javës, më 1 nëntor, hyri në fuqi, faza e parë e shkallëzimit të vendimit të ekzekutivit për targat e lëshuara nga Serbia. Masa për ndarjen e fletëqortimeve do të jetë në fuqi për tri javë. Ajo do të pasohet nga shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për të gjithë vozitësit e automjeteve me targa ilegale, gjë e cila do të zgjasë deri në janar të vitit të ardhshëm. Sipas vendimit të Qeverisë, nga 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Kosovës duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara. Konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS serbët do të kenë mundësinë ta bëjnë deri në javën e fundit të prillit, por që të njëjtit nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat e ofruara. Shkallëzimi i hyrjes në fuqi të vendimit për targat ilegale do të përmbyllet më 21 prill, datë kjo nga e cila në territorin e Kosovës nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i automjeteve që posedojnë targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë.