Forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR-i, janë të gatshme të intervenojnë po që se rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës, ka deklaruar të shtunën në mbrëmje, zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.
Ai ka thënë se ka biseduar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi serbët në Kosovë vendosën për braktisje të institucioneve.
“Të dyja, Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbahen e të parandalojnë përshkallëzimin. NATO mbetet vigjilente dhe e gatshme të ndërhyjë po që se rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndërkaq në një njoftim të NATO-s në Twitter është thënë se po monitorohet situata e se po punohet me partnerët për të ruajtur paqen dhe sigurinë për të gjithë në Kosovë.
“Ftojmë të gjithë t’i adresojnë dhe diskutojnë dallimet nëpërmjet dialogut konstruktiv. Sillini përparim shoqërisë! Shprehni opinionet tuaja paqësisht dhe arrini kompromise”, thuhet në njoftim.
Për deklaratën e Geoanas ka reaguar edhe Lajçaku. Ai ka thënë se është falënderues për koordinimin “e shkëlqyeshëm BE-NATO, si në nivel të lartë, si në terren”.