Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar totalisht në menaxhimin e buxhetit në kohën e krizës më të madhe ekonomike në dekada.
Hoti ka pretenduar se sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 nga 764 milionë euro të planifikuara). Kjo është, sipas ish-kryeministrit, 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020.
“Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim. Ka ministri, siç është Ministria e Industrisë, me vetëm 5% realizim të shpenzimeve kapitale, apo Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave me 6%, Ministria e Ekonomisë me 13%, Ministria e Mbrojtjes me 15% etj”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook të mërkurën.
Një tjetër kritikë e deputetit të LDK-së është edhe “që paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro”, që siç thotë ai, janë dyfish më shumë sesa është e nevojshme. Për këtë, Hoti ka thënë se mund të ishte pezulluar akciza në naftë, përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë. Këto ishin edhe disa nga propozimet e LDK-së për dalje nga kriza, të prezantuar nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku muaj më herët.
“Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t'i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim. Këto mjetet tanimë janë zhvlerësuar nga infalcioni për rreth 20%, që është rreth 136 mil euro. Këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve. Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”, ka shkruar tutje Hoti.