Dy ditë para Samitit të Procesit të Berlinit, mediat gjermane kanë raportuar të martë, se zyrtarët e këtij shteti ia kanë bërë të qartë Serbisë se duhet të zgjedhë nëse dëshiron t’i bashkohet Perëndimit apo Rusisë. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së, Serbia është ndër shtetet e pakta që deri tash ka refuzuar t’i vendos sanksione Rusisë, e cila nisi agresionin mbi Ukrainën në shkurt të këtij viti
Gjermania ka rritur presionin mbi Serbinë me kërkesën që t’u bashkohet vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gazeta gjermane “Welt”, ka raportuar të martën, se shtetin serb e presin edhe sanksionet nëse nuk i bindet Perëndimit. Siç shkruan kjo gazetë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të marrë përkrahjen e Qeverisë së Gjermanisë nëse vendos ta drejtojë Serbinë drejt BE-së.
“Domosdoshmëria për të marrë një vendim po bëhet vazhdimisht e më e rëndësishme, në mes të këtyre zhvillimeve gjeopolitike”, ka cituar “Welt” një burim në Qeverinë e Gjermanisë.
Siç shkruan kjo gazetë, gjermanët “janë të zhgënjyer dhe të befasuar” me faktin se Serbia nënshkroi marrëveshje me Rusinë për politikën e jashtme. Aty thuhet se, në Gjermani ekziston përshtypja se presidenti i Serbisë, Vuçiq, është politikan me përvojë dhe është në dijeni për pozicionin mes BE-së dhe Rusisë.
“Do të jetë vazhdimisht e më shumë e papërshtatshme të jesh në atë ulëse”, ka thënë burimi.
Gazeta gjermane ka raportuar se Vuçiqi mund të marrë përkrahjen e Qeverisë së Gjermanisë nëse vendos ta çojë Serbinë drejt BE-së.
“Nëse zgjedh rrugë tjetër, do të ketë pasoja”, ka thënë ky burim.
Për pozicionin e Gjermanisë ka shkruar edhe “Reutersi”. Sipas kësaj agjencie, Gjermania ia ka bërë të qartë Serbisë se duhet të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian apo të hyjë në një partneritet me Rusinë.
“Nevoja për një vendim kryesor vjen në funksion të zhvillimeve gjeopolitike”, ka cituar “Reuters” një përfaqësues të qeverisë gjermane në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Serbia, e cila u bombardua nga NATO-ja dy dekada më parë, por tani kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka tentuar në vazhdimësi t’i balancojë lidhjet e ngushta historike me Rusinë me aspiratën për integrim në BE.
Mosbindja e Vuçiqit
Marrëveshja e fundit midis Serbisë dhe Rusisë për zgjerimin e bashkëpunimit u prit me befasi dhe zhgënjim dhe, siç citohet ky zyrtar gjerman, ishte në kundërshtim me pritjet që kanë për një vend kandidat për anëtarësim në BE, i cili duhet të miratojë gjithashtu sanksione kundër Rusisë.
Serbia, që është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012, vendosi në shtator të zhvillojë konsultime të rregullta të politikës së jashtme mbi aktivitetet dypalëshe dhe shumëpalëshe me Rusinë.
“Nëse ai (Aleksandër Vuçiq) dëshiron ta udhëheqë vendin e tij drejt Bashkimit Evropian, ai e ka mbështetjen e qeverisë gjermane. Nëse ai zgjedh rrugën tjetër, kjo do të ketë pasoja", ka thënë ky zyrtar.
Ky qëndrim i Gjermanisë vije dy ditë para samitit të Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku mes tjerash parashihet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve për lehtësira në lëvizjen e lirë mes shteteve të Ballkanit.
E, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka thënë se “për aq kohë sa mund të rezistojë”, nuk do t’i vë sanksione Rusisë.
“Kur nuk do të mundemi, ne do t’u drejtohemi njerëzve tanë, qytetarëve dhe do t’iu tregojmë pse nuk mundet Serbia t’i rezistojë më vendosjes së sanksioneve”, pati thënë Vuçiq më 17 tetor, gjatë një ceremonie për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).
Derisa Serbia refuzon vendosjen e sanksioneve, në BE së fundi kanë paralajmëruar masa tjera ndaj Rusisë.
“Ne kemi qëndrim të qartë për faktin se Rusia duhet të ndalojë. Kjo është arsyeja pse ne kemi propozuar dhe kemi miratuar paketa shtesë të sanksioneve. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi të përqendruar fort në zbatimin e sanksioneve, sepse është e rëndësishme që ato të kenë afektuar Rusinë dhe të ndikojnë në kapacitetin e saj për të zhvilluar luftën dhe ristrukturuar hapat shtesë përshkallëzues”, ka thënë në një konferencë për media, zëdhënësja e BE-së, Dana Spinant.
Kthim prapa
Edhe raporti i Komisionit Evropian ka konstatuar se Serbia ka shënuar kthim prapa sa i përket përshtatjes me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Në raport po ashtu thuhet se më 2021, Serbia i ka përshtatur në nivel prej 64 për qind qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti, kjo përqindje ka rënë në 45 për qind, për shkak të refuzimit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Aleanca Serbi-Rusi është vënë edhe në funksion të minimit të shtetit të Kosovës. Qasja që ka proklamuar presidenti serb në disa raste është e ngjashme me atë që Putini ka përdor si pretekst për ta sulmuar Ukrainën. Serbia vazhdon të dramatizojë duke përmendur edhe luftën pas vendimit të qeverisë për konvertimin e targave ilegale në RKS. Sipas Beogradit zyrtar, synimi i qeverisë së Kosovës është dëbimi i serbëve të Kosovës.
Sipas njohësit të integrimeve evropiane, Demush Shasha, me qasjen e saj, Serbia po dëshmon se ka për synim luftënxitjen në Ballkan.
“Pjesa më e bukur e kësaj punës së targave është se sa lehtë Vuçiqi bije në grackën e Kurtit. Pak a shumë sikur shëtitja e Thaçit ‘nëpër bukuritë e Kosovës’ në Ujman. Të dy këto akte të Thaçit dhe Kurtit kanë ekspozuar natyrën e dhunshme të Serbisë. Në të dy raste Vuçiqi u është përgjigjur akteve krejtësisht paqësore të Thaçit dhe Kurtit me agresivitet të skajshëm luftarak, i cili vetëm ka përforcuar narracionin e Kosovës se Serbia është një vend luftënxitës – njëjtë sikur Rusia”, ka shkruar Shasha në “Facebook”, të martën.
Sipas tij, me ngritjen e gatishmërisë ushtarake, Vuçiqi i është bashkangjitur Putinit si të vetmit liderë në Evropë të cilët zgjedhin luftën si mjet primar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.