Arbëri

MPB: Presion i madh i strukturave ilegale në veri kundër konvertimit të targave

Në veri të Kosovës ka interesim për konvertim të tabelave të veturave nga ato ilegale në RKS, por ka presion të madh të strukturave ilegale me presione, kërcënime e sulme, ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme, një javë para se të përfundojë afati për konvertim të tabelave. Kjo ministri ka bërë thirrje që të ketë më shumë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë, për thirrjet e saj për mosrespektim të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Më 31 tetor përfundon afati dymujor i ofruar nga Qeveria e Kosovës që qytetarët që posedojnë vetura me targa ilegale, ato të lëshuara nga Serbia, t’i konvertojnë në targa RKS. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar një shtyrje prej dhjetë muajsh, por të martën kryeministri Albin Kurti u shpreh se kjo s’do të ndodhë.

Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se në kuadër të fushatës informuese ka nisur edhe me dërgim të SMS-ëve e shpërndarje të fletushkave.

Nora Fetoshi, zëdhënëse në këtë ministri, ka thënë se ditëve të fundit ka rritje të interesimit për kthim të targave në RKS. Ajo ka bërë të ditur se numri i veturave që kanë konvertuar targat në RKS ka shkuar në 18 (rajoni 06 – 6 vetura, rajoni 02 – 7 vetura, rajoni 04 – 3 vetura, rajoni 01 – d vetura).

“Targave KM, GL, PR, PZ, DE, UR, etj, që janë denominime serbe për qytetet e Republikës së Kosovës, u ka skaduar afati i përdorimit qysh në shtator të vitit të kaluar, bazuar edhe në zotimet e vetë Serbisë në bisedimet në Bruksel. Ne në anën tjetër, para afatit të skadimit, po hapim afat të konvertimit me lehtësime financiare. Përmes një afati prej dy muajsh, ne po ofrojmë një dritare të re të konvertimit të këtyre targave, që janë relikt e pushtetit të Millosheviqit, me lehtësime të theksuara financiare që arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro. Konvertimi në targa ‘RKS’ siguron lëvizje të lirë, të papenguar dhe pa paragjykime në të gjithë Republikën e Kosovë. Vendimi për targa nuk është kundër serbëve të Kosovës. Me të dhe me ftesën për të konvertuar targat në RKS ne duam të vendosim ligjshmëri në vendin tonë”, ka thënë Fetoshi.

Sipas MPB-së, interesim ka pasur edhe në veri. Por kjo ministri është ankuar për propagandë e presione ndaj qytetarëve në veri të vendit.

“Nga dita e parë e fillimit të regjistrimit të veturave kemi pasur një interesim të madh të qytetarëve tanë, i njëjti interesim ka qenë edhe në veri. Në veri të vendit gatishmëri nga qytetarët ka, por është zhvilluar një propagandë nga vetë krerët e shtetit serb dhe ka pasur një presion të madh të strukturave ilegale në veri të cilët çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizuar në jetën e përditshme u përgjigjen me presione, kërcënime dhe sulme. Ne duhet të flasim më shumë për këto veprime të shtetit të Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale që i përgjigjen Serbisë. Duhet më shumë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë e cila me thirrjet e saj për mosregjistrim të veturave, po fton qytetarët serbë të Republikës sonë të veprojnë në ilegalitet”, ka thënë Fetoshi.

MPB-ja ka thënë po ashtu se duke nisur nga 1 nëntori, “institucionet e Republikës së Kosovës së bashku me instancat e saj do të përkujdesen që rendi dhe sundimi i ligjit të shtrihen kudo në Kosovë”.

“Policia jonë dhe Doganat do të sillen në përputhje me ligjet e vendit. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë fushatën intensive anembanë Kosovës që deri me 31 tetor ky proces të përmbyllet”, ka deklaruar zëdhënësja e MPB-së.