Ambientet e jashtme të institucioneve publike, rrugët kryesore e dytësore si dhe monumentet në Tiranë, do të jenë në errësirë çdo ditë pas orës 20:00.
Këto janë disa nga masat e përshkruara në aktin normativ që është depozituar të mërkurën në Kuvend.
Këto masa pritet të ndërmerren me qëllim që të kursehet energjia elektrike.
Një tjetër masë është edhe moslejimi i gradimit të kondicionerëve në temperaturë më të ulët se 27 gradë celsius gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit, shkruan të mërkurën TCh.
Ky akt normativ do të jetë në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe nuk është i zbatueshëm për institucionet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, shkollat, kopshtet, komisariatet e policisë dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Institucioni që ngarkohet për zbatimin e këtij akti normativ është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OSHEE-së është ngritur struktura e posaçme, Task-Forca e Energjisë. /Tch